Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituan Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, ku për herë të parë ka nisur implementimi i mësimit dual në drejtimin e Floktarisë.
Kryeministri Albin Kurti me këtë rast tha se, ndjehet i kënaqur që këtë vit shkollor arsimi dual po pilotohet për herë të parë me 5 klasë të nxënësve të klasave të 10-ta, në profilet: Floktari, Kuzhinier, Asistent i mikpritjes hoteliere dhe Murator.
Kryeministri Kurti tha se qëllimi i vizitës në këtë Qendër është i një rëndësie të veçantë, meqë po promobvohet aplikimi i sistemit dual në arsimin dhe aftësimin profesional, i cili bën përgatitjen e kuadrove me shkathtësi të duhura sipas nevojave të tregut të punës.
Ndërsa ministrja Nagavci bëri të ditur se, iniciativa e aplikimit të mësimit dual ka nisur me mbështetje të Fondacionit Besa, në bashkëpunim me përfaqësuesit e ndërmarrjeve/biznesve dhe donatorëve, për çka edhe i falënderoi shumë.
Ministrja Nagavci po ashtu tha se, Ministria ka bërë përgatitjet e duhura për pilotimin e arsimit dual si: Zhvillimi/adaptimi i kurrikulës për profilet në të cilat do të nis ky proces, me ç’rast inkurajoi të gjitha bizneset që të ofrojnë mundësinë për të rinjtë tanë që të zhvillojnë mësimin praktik në biznese.
Ministrja Nagavci theksoi se, sistemi dual i mësimit është treguar tepër i suksesshëm në shtete gjermanofolëse dhe u shpreh e lumtur që, me këtë rast, po përmbushet një nga objektivat e programit qeverisës.
Drejtori i kësaj Qendre, Blerim Gërvalla e informoi kryeministrin Kurti dhe ministren Nagavci se për shkak të interesimit të madh të nxënësve, që në afatin e parë është plotësuar numri i të regjistruarve në këtë profil.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci, gjatë ditës po ashtu vizituam edhe njërin nga sallonet në të cilin nxënësit do ta kryejnë punën praktike përmes arsimit dual.
Me arsim dual të rinjve u mundësohet që gjatë tri viteve të shkollimit ta kalojnë me shumë se gjysmën e kohës në vende reale të punës, gjë që dallon nga modeli i arsimit paraprak.
Last modified: 7 Shtator, 2022