Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQShM) ka bërë publike rezultatet e afatit të parë (afati i qershorit) të Provimit Shtetëror të Maturës, sipas të cilave rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 53.9 përqind. Prej këtij rezultati, 53.7 përqind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 70.6 e mësimit në gjuhën boshnjake dhe 53.9 e mësimit në gjuhën turke.
Azem Guri, kryetar i KQShM-së e vlerësoi të suksesshëm administrimin e Provimit të Maturës, ndërsa tha se rezultatet e nxënësve në këtë test janë të kënaqshme dhe reale.
“Administrimi i Testit ishte në nivelin e duhur, por edhe kushtet në të cilat u mbajt testi po ashtu ishin më të mira, prandaj me të drejtë mund të themi se rezultatet janë reale, ndërkaq krahasuar me vitin e kaluar është shënuar një ngritje prej 1.4 përqind”, tha z. Guri.
Kryetari i KQShM-së theksoi se në afatin e parë, testit iu nënshtruan 32.014 maturantë, ndërsa prej tyre kaluan 17.255.
Drejtimi i përgjithshëm ka arritur rezultate më të mira në këtë test ku kalueshmëria është 81.5 përqind , ndërsa përqindje më të ulët e kalueshmërisë është shënuar në arsimi profesional .
Z. Guri, gjithashtu, rikujtoi se për shkak të parregullsive në ditën e parë të Provimit të Maturës, 74 nxënësve iu është anuluar testi.
KQShM bëri të ditur se të gjithë ata maturantë, të cilët konsiderojnë se iu është bërë ndonjë e padrejtë me rastin e vlerësimit, afati i ankesës është 3 ditë dhe kjo drejtë ushtrohet në drejtoritë komunale të arsimit.
Last modified: 27 Maj, 2022