Më 8 Dhjetor, 2016 në Bruksel është bërë referencimi apo lidhja zyrtare e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK) me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (KEK), një vit pas anëtarësimit të Kosovës në grupin këshillëdhënës të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve.
Referencimi apo lidhja zyrtare e KKK me KEK është arritur si rezultat i një procesi 4 vjeçar të përpilimit të raportit të referencimit nën udhëheqjen e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve. Raporti është hartuar në përputhje me metodologjinë dhe kriteret rigoroze të KEK-së dhe është rezultat i një procesi të gjatë konsultativ me të gjitha palët e interesit, përfshirë edhe ekspertët ndërkombëtarë, dhe pasqyron në mënyrë transparente dhe reale sistemin tonë të arsimit dhe trajnimit në të gjitha nivelet, duke përfshirë të arriturat, sfidat dhe veprimet e planifikuara për t’i tejkaluar këto sfida duke mundësuar në këtë mënyrë krahasimin në mes KKK-së me KEK.
Referencimi do të thotë që sistemi jonë i arsimit dhe trajnimit është transparent, i qartë dhe i besueshëm për shtetet anëtare të BE-së, me ç’rast kualifikimet apo diplomat dhe certifikatat e programeve të studimeve dhe trajnimeve janë të krahasueshme përmes KEK me kualifikimet e vendeve të BE-së, duke lehtësuar kështu njohjen dhe qasjen e të rinjve tanë me diploma dhe kualifikime të Republikës së Kosovës në tregun evropian të punës. Pra, i shërbejnë shtetasve tanë që me diploma dhe kualifikime të Republikës së Kosovës të punësohen në tregjet e shteteve të BE-së.
Kjo krahasueshmëri apo njohje vlen vetëm për diplomat apo certifikatat e programeve të studimit/trajnimit që janë pjesë e KKK-së, certifikatave dhe diplomave të programeve që janë të akredituara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë.
Korniza Evropiane e Kualifikimeve është një mjet reference që përdoret për të ndërlidhur sistemet e kualifikimeve të shteteve të ndryshme evropiane dhe shërben si një mjet për t’i bërë kualifikimet më të krahasueshme dhe më të kuptueshme nga vendet dhe sistemet e ndryshme evropiane. Ajo i ka dy qëllime kryesore: nxit të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe mundësi të barabarta në shoqëri të bazuar në dije, si dhe integrimin e tregut evropian të punës, duke respektuar diversitetin e pasur të sistemeve arsimore kombëtare të shteteve të ndryshme.
Last modified: 29 Gusht, 2022