MASHT

KOMUNIKATË

14 Qershor, 2014

Rreth 46 mijë maturantë, sa ka këtë vit Kosova, sot i janë nënshtruar Testit të Maturës Shtetërore (pjesa e parë). MAShT i ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin sa më të mirë të këtij provimi të rëndësishëm dhe me këtë rast, i falenderojmë drejtoritë komunale të arsimit, universitetet publike dhe Policinë e Kosovës për kontributin e dhënë në mbarëvajtjen e këtij procesi.

Numri shumë i madh i maturantëve ka bërë që të na krijohen edhe vështirësi sa i përket përcaktimit të mjaftueshëm të qendrave të testimit, prandaj, për këtë arsye në një numër të vogël të qendrave, testi ka filluar me vonesë.

Fatkeqësisht, përkundër përgatitjeve të mëdha që ka bërë MAShT dhe drejtoritë komunale të arsimit, individë dhe grupe të caktuara kanë vepruar në drejtim të komprometimit të procesit. Në këtë drejtim, duhet potencuar edhe papërgjegjësinë e disa mësimdhënësve administrues në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që kanë për administrimin e testit.

Gjithashtu, MAShT me kohë ka qenë e informuar se grupe të caktuara të maturantëve, në bashkëpunim me persona të panjohur deri më tani për ne, janë pajisur me SIM kartela të operatorëve të ndryshëm mobil dhe se kanë hapur grupe të ndryshme komunikimi në facebook, me qëllim të krijimit të mundësive për kopjim. Për të gjitha këto, MAShT ka informuar Policinë e Kosovës dhe besojmë shumë se organet e hetuesisë, do të arrijnë t’i identifikojnë personat e involvuar në këto manipulime.

MAShT është e vendosur që ta analizojë në tërësi mbarëvajtjen e procesit dhe varësisht nga raportet e kryetarëve të qendrave të testimit, të cilët pothuajse në tërësi ishin përfaqësues të universiteteve publike, mund të marrë vendime edhe për anulimin e rezultateve në qendrat në të cilat nuk janë përfillur rregullat e administrimit të Testit të Maturës.

Gjithashtu, MAShT do ta analizojë sjelljen e administruesve të përfshirë në proces dhe për të papërgjegjshmit do të iniciohen masa të përgjegjësisë sipas ligjeve në fuqi.

Last modified: 1 Shtator, 2022