Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka përcjellë me shumë shqetësim rastet e raportuara të ushtrimit të dhunës ndaj nxënësve tanë, njëri në ShFMU “Shaban Mazreku” në Sopijë – Suharekë dhe rastin tjetër në shkollën “Mirali Sejdiu” në Gërmovë të Vitisë. MAShT dënon aktet e tilla të papranueshme të dhunës që ndodhin në shkolla dhe do të angazhohet që të marrë masat ligjore për adresimin e përgjegjësisë për secilin rast të tillë.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka iniciuar menjëherë inspektimin e plotë të dy ngjarjeve dhe sot, Sektori i Inspeksionit të Arsimit në Prizren, ka nxjerrë vendimin për inicimin e procedurave disiplinore ndaj mësimdhënësit H.B në ShFMU “Shaban Mazreku” në Sopijë – Suharekë, për shkak të ushtrimit të dhunës fizike dhe keqtrajtimit tё nxënësit B.R, që paraqet shkelje të rëndë ligjore. Po ashtu, masa disiplinore do të ndërmerren edhe ndaj ish-drejtorit tё shkollës I.S, pёr shkelje tё detyrave tё punës, respektivisht, mosinformim me kohё tё prindit dhe mosparaqitje tё rastit nё DKA – Suharekё.
Në ditët në vijim, pas përfundimit të inspektimit të rastit në shkollën “Mirali Sejdiu” në Gërmovë të Vitisë, MAShT do të nxjerrë, po ashtu, vendim në përputhje me shkallën e cenimit të ligjit.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kërkon dhe inkurajon të gjithë drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit dhe opinionin publik që të bëjnë denoncimin e çdo akti të dhunës në shkollë, që janë të akte të papranueshëme për shkollën dhe dëmtojnë rëndë figurën e mësuesit në Kosovë.
Vendim nr 184 për rastin e dhunës në shkollë në Sopijë Suharekë 12 Qershor 2015