Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Komisionin Parlamentar për Arsim, i cili ka shqyrtuar dhe miratuar në parim Projektligjin për për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor dhe atë për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Këto dy projektligje të cilat janë shumë të rëndësishme për studentët dhe profesionistët e fushës së mjeksisë, stomatologjisë dhe arkitekturës, pritet të dërgohen për lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Ministrja Nagavci, ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit disa nga lehtësimet që sjellin këto dy projektligje në procesin e punësimit të studentëve të diplomuar në vendet e Ballkanit Përendimor dhe në rregullimin e profesionave në fushat e caktuara, duke thënë se në hartimin e tyre janë përfshirë të gjithë akterët relevantë si: ekspertë nga MAShTI, shoqëria civile, komuniteti akademik etj.
Nagavci theksoi se, ka qenë kërkesë e studentëve nga Lugina e Preshevës hartimi i Projektligjit për Njohjen e Kualifikimeve pasi kjo ka paraqitur problem në punësimin e tyre, andaj u shpreh e kënaqur që ky Projektligj dhe ai për profesionet e rregulluara së shpejti do të miratohen në Kuvend.
Last modified: 16 Shkurt, 2023