MASHT

Komisioni Parlamentar për Arsim miratoi në parim Projektligjin për Arsimin e Lartë

2 Prill, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, mori pjesë në takimin e Komisionit Parlamentar për Arsim, i cili e miratoi në parim Projektligjin për Arsimin e Lartë, për ta përcjellë kështu në lexim të parë në Kuvend.

Para anëtarëve të Komisionit, ministri Buja elaboroi ndryshimet që janë bërë në këtë Ligj, ndërsa theksoi se interesimi i MAShT është që sa më parë të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe të rregullojë shumë çështje. “Unë besoj se ky ligj do të jetë shumë më i mirë se ai që e kemi, sepse ka pasur defekte që kanë vështirësuar punën në këtë nivel të arsimit”, tha ministri Buja.

Ministri Buja, shfrytëzoi këtë takim që të japë edhe lajmin për vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbritjen për 50 përqind të tarifave për studime në universitet, e po kaq edhe të banimit dhe ushqimit në Qendrën e Studentëve.

Gjatë këtij takimi u fol edhe për peshën e rëndë të çantave të nxënësve, me ç’rast ministri Buja tha se MAShT është duke punuar për mundësinë e vendosjes së sirtarëve në shkollat e Kosovës, por tha se duhet të analizohen edhe oraret mësimore dhe të mendohet që me kurrikulat e reja të mos ngarkohet kjo çantë.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.