MASHT

KKSH IA DORËZOI MINISTRES NAGAVCI DRAFTIN FINAL TË PROGRAMIT KOMBËTAR TË SHKENCËS PËR PERIUDHËN 2023-2028

28 Dhjetor, 2022

Këshilli Kombëtar i Shkencës (KKSh) ka finalizuar Programin Kombëtar të Shkencës për periudhën 2023-2028, të cilin në emër të Këshillit, kryetarja Myzafere Limani ia dorëzoi sot ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, për procedurat e mëtutjeshme.

Në këtë takim, ministrja Nagavci falënderoi anëtarët e Këshillit për punën e bërë dhe theksoi rëndësinë që ka ky Program, i cili orienton politikat e kërkimit shkencor në Kosovë.

Gjithashtu, ministrja Nagavci përmendi edhe faktin se zhvillimi i shkencës është i domosdoshëm për rritjen dhe avancimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. 

Në Programin Kombëtar të Shkencës 2023-2028 është propozuar një strukturë orientuese për zhvillimin e shkencës që ka për objektiv parësor realizimin e një plani strategjik, dinamik e gjithëpërfshirës, që i kontribuon zhvillimit të shoqërisë.

Këshilli Kombëtar i Shkencës është konstituuar në janar të këtij viti, pasi që ka qenë jofunksional që nga qershori i vitit 2011, ndërsa detyra kryesore e Këshillit ka qenë hartimi i Programit Kombëtar të Shkencës, pasi që programit të vjetër i ka kaluar afati në vitin 2015.

Last modified: 28 Dhjetor, 2022