Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), vlerëson se Provimi i Maturës Shtetërore ka përfunduar me sukses dhe i tërë procesi ka shkuar sipas planit dhe dinamikës së paraparë. Këtë konstatim, Komisioni e ka bazuar në raportet, të cilat kanë ardhur nga terreni, respektivisht nga të gjitha qendrat ku është organizuar tesimi për rreth 25 mijë maturantë, të cilët i kanë plotësuar kriterët dhe kërkesat për t’iu nënshtruar këtij testi.
KShM bën të ditur se Provimi ka filluar me kohë në të gjitha qendrat, pasi që testet janë shpërndarë dhe nuk ka pasur mungesa të testeve. Po ashtu, administratorët dhe kryetarët e qendrave të testimit kanë arritur me kohë në qendrat ku kanë qenë të caktuar.
Si gjithmonë, KShM falënderon të gjithë akterët e përfshirë në organizimin dhe mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore, e në veçanti mediat, të cilat janë një nga monitoruesit më të mirë, që po ndihmojnë shumë me raportimin e vazhdueshëm.
Sikur edhe në pjesën e parë të Provimit të Maturës, e cila u mbajt më 14 qershor, KShM thekson se edhe në këtë pjesë, tentimet për kopjim dhe shpërndarje të testit në rrjetet sociale kanë qenë shumë më të pakta se në të kaluarën. Ndërsa, edhe në rastet kur ka pasur tentime të tilla, janë identifikuar dhe raportuar dhe ndaj tyre do të merren masat që i përcakton Ligji.
Provimi është mbajtur në 201 qendra të testimit, ndërsa për mbarëvajtjen dhe administrimin e tij janë angazhuar 2100 administrues dhe 600 komisionerë.
Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore do të publikohen 3 korrik 2017 në të gjitha shkollat ku nxënësit kanë mbarura shkollimin e mesëm të lartë.
Me respekt,
Divizioni për Komunikim Publik
Tel: 038/ 213 065
Last modified: 26 Gusht, 2022