MASHT

INSTITUCIONET E ARSIMIT PROFESIONAL PËRFITUAN 2.85 MILION EURO INVESTIME NGA FONDI I SFIDËS RAJONALE

4 Prill, 2023

Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë përfituan 2.85 milion euro investime në pajisje, infrastrukturë dhe trajnime në institutet e aftësimit profesional.

Ky program, përveç që ofron mundësinë e përfitimit në infrastrukturë, u mundëson Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe bizneseve zbatimin e mësimit në vendin e punës si element i sistemit dual, praktikë kjo e cila tashmë është duke u aplikuar në katër profile të ndryshme në vendin tonë.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me rastin e pjesëmarrjes në Ceremoninë e raundit të dytë të ndarjes së granteve kombëtare në Kosovë, si pjesë e Fondit të Sfidës Rajonale (RCF), tha se është e kënaqur që nga 22 aplikime sa ishin nga Kosova, fituese dolën 6 aplikime, me anë të të cilave Kosova arriti që të përfitoje investime rreth 2.85 milion euro.

Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka theksuar se, sistemi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional (VTE) luan rol vendimtar në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një shteti dhe pavarësisht faktit se Kosova ka pasur një zhvillim ekonomik pozitiv që nga pas lufta, Arsimi dhe Aftesimi Profesional nuk ka arritur të zhvillohet dhe avancohet në mënyrë që ti mbulojë nevojat e ekonomisë me punetorë të kualifikuar.

Ngavaci ka thënë se, një ndër shkaqet kyesore që ka ndikuar në këtë situatë ka qenë edhe komunikimi dhe bashkëpunimi jo mjaftueshëm i mirë mes të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) dhe ndërmarrjeve.

Ministrja Nagavci është shprehur mirënjohëse dhe ka falënderuar për iniciativën e ndërmarrë,  Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), sidomos pasi që kjo iniciativë do të shërbejë si nxitëse për të fuqizuar bashkëpunimin në mes të IAAP-ve dhe ndërmarrjeve, në mënyrë që nxënësve të ju ofrohen shkathtësi të kërkuara nga tregu i punës. 

“I përgëzoj përfituesit e këtyre granteve, njëherazi shpresoj që konsorciumet e krijuara do të shërbejnë si ambasador për krijimin e konsorciumve të reja të cilat do të mund të aplikojnë në thirrjet e radhës”, është shprehur Nagavci.

Në fund, Nagavci ka thënë se, Ministrisë së Arsimit, së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës i’u mbetet të promovojë mëtej Fondin e Sfidës Rajonale si dhe mundësitë që i ofron ky fond me qëllim që të rrisim numrin e bashkëpunimeve në mes të IAAP-ve dhe ndërmarrjeve, sidomos për inicimin e Arsimit dual, synim, i cili është përcaktuar në programin qeverisës dhe i cili kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.

Për rëndësinë e këtyre investimeve në pajisje dhe infrastrukturë, me qëllim punësimin e të rinjve dhe rritjen e konkorrencës folën edhe Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, përfaqësues nga Zyra KfW në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë, etj.

Last modified: 4 Prill, 2023