Shpërblehen tri shkolla në kuadër të projektit “Shkollat e shekullit 21”

09 Dhjetor 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për shkollat fituese në kuadër të programit “Shkollat e shekullit 21”, ku u bë prezantimi i projekteve me micro:bit nga 18 shkollat pjesëmarrëse të ciklit të parë.

Ky program i British Council, u vlerësua nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, si njëri ndër investimet më të rëndësishme në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët.

“Ne si Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, vlerësojmë se investimi në shkathtësitë e digjitale, mendim kritik dhe zgjidhje të problemeve është shumë i rëndësishëm. Prandaj, me British Council kemi bashkëpunuar ngusht, në mënyrë që të sigurohemi që programet trajnuese për mësimdhënës dhe udhëheqës të shkollave të akreditohen dhe të jenë brenda nevojave të arsimit të Kosovës”, tha ministri Bytyqi, ndërsa falënderoi Britaninë e Madhe për investimin në fushën e arsimit në vend.

Ministri Bytyqi u shpreh i lumtur me punën e nxënësve të bërë në kuadër të “Sfidës së Kodimit” për të zgjidhur probleme të jetës së përditshme, duke vënë në përdorim shkathtësitë e tyre digjitale, ndërsa vlerësoi se trajnimet e ciklit të parë trajnues me mësimdhënës dhe udhëheqës të shkollave kanë dhënë rezultate të mira. 

Ndërsa, ambasadori britanik, Nicholas Abbott tha se ky është hapi më i rëndësishëm në fushën e arsimit ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Kosovës, ndërsa theksoi se së bashku po punojmë për të krijuar një ambient ku nxënësit përfshihen në mësime dhe në zhvillimin e shkathtësive të tyre.

Fitues të çmimeve ishin:

Vendi i parë: Shkolla “Bajram Curri”, Shtime

Vendi i dytë:  Shkolla “Hasan Prishtina”, Prishtinë

Vendi i tretë:  Shkolla “Emin Duraku”, Shtime

Vendi i parë dhe i dytë kanë të drejtë marrin pjesë në garën rajonale.