Ministri Likaj vizitoi Komunën e Deçanit, të Gjakovës dhe atë të Rahovecit

03 Korrik 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka vizituar sot komunën e Deçanit, të Gjakovës dhe atë të Rahovecit, ku është takuar me kryetarët e këtyre komunave, Bashkim Ramosaj, Ardian Gjini dhe Smajl Latifi.

Qëllimi i këtyre vizitave, që do të vazhdojnë edhe në komunat dhe DKA-të tjera gjatë ditëve në vijim, ishte për të parë nga afër gjendjen në arsim nëpër komuna dhe përgatitjet që po bëhen për fillimin e vitit të ri shkollor.

Me këtë rast, ministri Likaj i ka përgëzuar komunat për punën që kanë bërë gjatë kohës sa është organizuar mësimi në distancë.

Gjatë takimeve të ministrit Likaj me kryetarët e këtyre tri komunave dhe DKA-ve është theksuar nevoja e bashkëpunimit të ngushtë mes nivelit qendror dhe atij lokal, në mënyrë që shtatori ta gjejë Kosovën të përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor.

Gjithashtu, është biseduar edhe për projektet e rëndësishme që pritet të realizohen nëpër këto komuna në të gjitha nivelet e arsimit, e në veçanti për ato që do të përmirësojnë dhe zgjerojnë infrastrukturën arsimore.