MASHT

Hapet Panairi i Librit “Prishtina 2024”

5 Qershor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit të 24-t të Librit “Prishtina 2024”, në të cilin rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora do të prezantojnë mbi 2000 tituj të rinj dhe rreth 6000 tituj të viteve të fundit, për lexuesit dhe adhuruesit e librit.

Ministrja Nagavci ka përgëzuar organizatorët e Panairit për këtë ngjarje të madhe dhe moton e edicionit të 24- të librit, “Përgjigja është libri”, për çka edhe tha se përgjigjet më të mira dhe më të plota mund ti gjejmë vetëm aty.

Ministrja Nagavci tha se është rritur dukshëm mbështetja për librat dhe shtëpitë botuese, si dhe autorët e pavarur, krahas zhvillimit të audio-librave dhe rezidencave letrare.

Nagavci po ashtu theksoi se, duke ditur faktin se libri vazhdon të mbetet burim i rëndësishëm i mësimit në shkolla tona, MAShTI me mbështetjen e partnerëve, ka filluar procesin e rishikimit të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës, me qëllimin që fëmijët tanë të rriten me tekste cilësore dhe efektive.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli falënderoi lexuesit të cilët siç tha ai, nga viti në vit shtohen në numër dhe kontribuojnë në tregun e librit, i cili tash fare lehtë mund të quhet edhe industri. Ai po ashtu falënderoi partnerët tradicional të Panairit, në veçanti Ministrinë e Kulturës e cila viteve të fundit është duke mbështetur botuesit, shkrimtarët dhe bibliotekat.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku foli për rëndësinë e Panairit si një nga traditat më të bukura e cila mbledhë bashkë njerëz të shumtë, të dijes e të leximit, ku mijëra tituj të ri i ofrohen lexuesit, duke kontribuar në promovimin e dijes në vendin tonë.

Panairi i Librit organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Prishtinës dhe Pallatin e Rinisë. Motoja e këtij edicioni është “Përgjigjja është libri”. Panairi do të jetë i hapur deri më 9 qershor.

Last modified: 5 Qershor, 2024