Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në hapjen e ekspozitës me temën e Pavarësisë, me punimet e nxënësve të talentuar të Kosovës dhe Shqipërisë, ekspozitë kjo e cila është organizuar nga MAShTI, për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast tha se, është kënaqësi që na ka mbledhur arti në këtë 15 vjetor të Pavarësisë, në këtë ngjarje të rëndësishme, duke bashkuar nxënësit nga Kosova dhe Shqipëria.
Ministrja Nagavci tha se, nxënësit tanë të talentuar kanë përkthyer me ngjyra dhe pëlhurë ngjarjen e madhe të Pavarësisë sepse ata sot gëzojnë Kosovën e lirë dhe të pavarur, të cilën do ta bëjmë edhe më të mirë se kaq.
Ndër të tjera, Nagavci tha se, pas Abetares së përbashkët, marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe kësaj ekspozite, do të vazhdojmë me aktivitete tjera të përbashkëta, duke shtuar se, bashkë me ministren Evis Kushi kemi hedhur hapat për intensitet më të madh të bashkëpunimeve tona.
Ajo gjithashtu theksoi se, Ministria e Arsimit ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë mbështetëse e të rinjve të talentuar.
Përfaqësuesi i nxënësve nga Shqipëria, Hasan Muça theksoi se, në vizatimet e nxënësve ndjehet aroma e lirisë, ndërsa në ngjyrat e tyre ndjehet krenaria.
Muça tha se është i bundur që e ardhmja jonë është e ndritur dhe se dy flamujt e paraqitur në punime janë vazhdimësi e historisë sonë.
Last modified: 21 Shkurt, 2023