MASHT

FILLON FAZA E DYTË E PROJEKTIT TË BRITISH COUNCIL “SHKOLLAT E SHEKULLIT 21”

13 Shtator, 2018

Projekti i British Council “Shkollat e shekullit 21”, i cili ka filluar të implementohet gjatë vitit 2017, ka filluar sot fazën e dytë, në një takim ku kanë marrë pjesë drejtorët e shkollave të përzgjedhura për këtë fazë. Ky është një program rajonal, i cili tashmë ka përfshirë 10 shkolla nga Kosova, që kanë për qëllim zhvillimin e shkathtësive digjitale, aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe të menduarit kritik,

Me këtë rast, në emër të ministrit Shyqiri Bytyqi, të pranishmit i ka përshëndetur këshilltari i tij, Fatmir Bytyqi, i cili theksoi rëndësinë që ka projekti në ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor, gjë të cilën e synon MAShT.

Këshilltari Bytyqi falënderoi British Council për këtë mundësi që iu është dhënë drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve, në mënyrë që të përfitojnë nxënësit tanë. Ai theksoi se të rinjtë tanë sa i përket zbatimit të njohurive teknologjike, nuk janë larg moshatarëve të tyre kudo në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë dhe kjo na bën të shpresojmë për të ardhme më të mirë në këtë segment të rëndësishëm të jetës dhe punës në të ardhmen. Megjithatë, ai tha se ende nuk qëndrojmë mirë me teknologjinë, e cila na nevojitet.

Ndërsa, drejtori në detyrë i British Council, Angus Bjarnason përmendi ndryshimet që po ndodhin në tregun e punës dhe shkathtësitë që kërkohen dhe si rezultat udhëheqësit e shkollave dhe mësimdhënësit ballafaqohen çdo ditë me përditësimin e njohurive. Ai u shpreh i kënaqur me rezultatet që janë arritur në fazën e parë të projektit, por edhe për faktin se ky projekt po vazhdon.

Projekti “Shkollat e shekullit 21”, i cili aktualisht përfshinë 135 shkolla nga Ballkani Perëndimor, i cili ka shënjestër klasat e nxënësve të moshës 10 deri në 14 vjeç, synon të zhvillojë te nxënësit aftësi të TIK-ut, si dhe një nivel të caktuar të aftësive teknike dhe aftësitë ndërpersonale.

Ky program zbatohet paralelisht me planprogramin e përgjithshëm për të zhvilluar aftësi të tilla si: aftësitë digjitale, aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe të menduarit kritik që janë thelbësore për një karrierë të suksesshme në vendin e punës, ose për edukim të vazhdueshëm.

Last modified: 10 Qershor, 2022