Kanë filluar të hënën trajnimin 184 kandidatë për t’u kualifikuar për “Asistentë për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore”.
Kandidatët të cilët me sukses e përfundojnë këtë kualifikim, do të pajisen me diplomë sipas standardeve të BTEC.
Më 5 shtator 2022, Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve ka hapur konkurs për pranimin e asistentëve për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore. Në këtë konkurs kanë aplikuar gjithsej 718 kandidatë, ndërsa janë pranuar 184.
Me këtë rast, janë formuar 7 grupe për mbajtjen e ligjëratave , -3 në Prishtinë (në Qendrën burimore-Përparimi, QK-Shtjefën Gjeçovi dhe 1 grup në objektin e DKA-së, Prishtinë), 2 grupe në Prizren (ShFMU ”Lidhja e Prizrenit” dhe ShFMU”Emin Duraku”) 1 grup në Mitrovicë dhe 1 grup në Ferizaj në Qendrën burimore “Nënë Tereza”, QK-Ferizaj.
Këshilltarja për arsim profesional në MASHTI, Majlinda Rizvanolli-Bajraktari bashkë me drejtoreshën e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve, Fikrije Zymberi, kanë vizituar kandidatët në shkollën “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.
Rizvanolli-Bajraktari tha se për Qeverinë kjo kategori e nxënësve është me prioritet andaj, është planifikuar që të punësohen asistentë që do të merren me këta fëmijë. Ajo tha se jemi shumë të kënaqur që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve në bashkëpunim me Agjencinë është realizuar si duhet.
Ndërkaq, drejtoresha e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve, Fikrije Zymberi u ka uruar kandidatëve suksese, ndërsa tha se do ta kenë mbështetjen e pakursyer të Agjencisë.
Last modified: 12 Dhjetor, 2022