Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ministri i Administratës Publike, z. Mahir Yakcilar, kryetari i Komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë se Informacionit, z. Kujtim Gashi promovuan zbatimin e projektit e-Shkolla në ShFMU “Emin Duraku” në Shtime.
Përmes aplikacionit e-Shkolla arrihet komunikim online Ministri-Komunë-Shkollë-Prind. Zyrtarët përgjegjës në nivel të MASHT-it, të DAK-së dhe drejtoritë e shkollave kanë qasje në aplikacion, nga i cili mund të marrin informata të hollësishme për procesin mësimor në tërësi.
Ministri Bajrami ka vlerësuar se, zbatimi i projektit e-Shkolla shënon fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm për modernizimin e shkollave tona. “Projekti e-Shkolla është produkt i Qeverisë dhe jo rastësisht kemi zgjedhur komunën e Shtimes për të inauguruar këtë projekt, sepse kjo komunë është shembull për menaxhim efikas. Sot po inaugurojmë procesin e-Shkolla, projekt i cili do të transformojë shkollat tona nga një shkollë klasike në një shkollë moderne, një transformim që do ta bëjmë me shumë kujdes, për t’ ia dhënë mundësinë secilit nxënës dhe mësimdhënës që të familjarizohet me mundësinë që ofron teknologjia e informacionit dhe për të ndërtuar një sistem të arsimit cilësor”, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami tha se ky projekt parashihet që vitin e ardhshëm të shrihet në 100 shkolla të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ditarët klasik të zëvendësohen me një platformë digjitale, e cila do të jetë një rregullator i shkollës.
Projekti e-Shkolla synon digjitalizimin e menaxhimit të procesit mësimor në sistemin parauniversitar, duke filluar me digjitalizimin e librit amë në shkolla, digjitalizim të ditarit, orarit, dokumenteve (librezave, dëftesave, certifikatave të notave, vërtetimeve dhe transferimit të nxënësve), regjistrit të nxënësve, regjistrit të arsimtarëve, regjistrit të shkollave, regjistrit të klasave, regjistrit të inventarit të shkollave (klasave, bankave, karrigeve etj.), krijimi i dosjeve elektronike për nxënës e shumë procese tjera të procesit mësimor.
Last modified: 30 Gusht, 2022