Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, ministri i Arsimit Enver Hoxhaj dhe rektori themelues i Universitetit Publik të Prizrenit Rolland Moench, inauguruan fillimin e vitit të ri akademik 2010-2011 dhe simbolikisht ndanë ID-të e para brucoshët e drejtimeve përkatëse të këtij institucioni.
Ky është viti i parë akademik për Universitetin Publik të Prizrenit, i cili ofron 6 programe studimore në tri gjuhë, dhe të drejtë regjistrimi kanë studentë, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria dhe vendet e rajonit.
Në ceremoninë festive,kryeministri Thaçi ndër tjera tha: “në jetën tonë ne të gjithë kemi pasur ëndrra dhe të gjithë kemi punuar ti realizojmë ato. Sot, një nga ëndrrat tona më të mëdha që po e realizojmë është hapja e universitetit të dytë publik në Kosovë”.
Ky universitet do të jetë model në rajon, do të jetë i hapur për studentët që dëshirojnë të studiojnë.
Duke uruar studentët për fillimin e vitit të ri akademik, kryeministri Thaçi tha “Ne sot jemi këtu për të përuruar hapjen e universitetit për të cilin kemi investuar të gjithë, por para së gjithash ky universitet hapet për të ardhmen, për të investuar në rini, që ju ta merrni në dorë drejtimin e vendit, për të ndryshuar për të mirë edhe Republikën e Kosovës, e unë dua të besoj se me këto potenciale, energji dhe kreativitet që e keni, një nga ju në ditë do të bëhet edhe fitues i çmimit ” Nobel për Dije”.
Në vazhdim të pranishmit i përshëndeti edhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i cili është shprehur “Qëllimi ynë është që ta rrisim përfshirjen në arsimin e lartë dhe asnjë i ri, i cili ka përfunduar shkollën e mesme, të mos mbetet jashtë universiteteve, meqë këtë vit Qeveria e Kosovës në UPz dhe në Universitetin e Prishtinës ofron 22 mijë vende të lira për brucoshët që i ka Republika e Kosovës. Mendoni që në 2007 kanë qenë vetëm 7 mijë vendem, e sot i keni 22 mijë vende për studentë (brucoshë).
Me tej, ministri Hoxhajtha se, Prizreni është qendër e rëndësishme ekonomike, por kjo qendër ka nevojë për fuqi të kualifikuar punëtore, e cila do të ketë grada universitare”.
Hapja e e UPz për ne, tha ministri Hoxhaj është ndërlidhje e edukimit me ekonominë, sepse edukimi është i barabartë me ekonominë dhe anasjelltas dhe një mbështetje kryesore këtu e ka pasur UPz, personalisht nga vet kryeministri i Kosovës, z Thaçi, i cili këtë projekt e ka pasur projekt personal të tij.
Ky universitet me rektor ndërkombëtar synon që të jetë universitet ndërkombëtar për Republikën e Kosovës dhe për shtetet tjera të rajonit dhe synon që të ofrojë studime interdisiplinare, që do të dallohet nga të gjitha universitetet tjera të Kosovës për cilësi.
Jam shumë i sigurt që ky universitet do ta shpejtojë Republikën e Kosovës që të bëhet shumë shpejt pjesë e Evropës- tha në fund ministri Hoxhaj.
Ndërkaq, rektori themelues i UPZ-së Roland Moench tha se ky universitet ka një rëndësi të veçantë për rajonin e Prizrenit por edhe për Republikën e Kosovës. Para ne të gjithëve është një rrugë e gjatë nëpër të cilën duhet të kalojmë dhe kjo do të bëhet me një punë të përbashkët.
Unë po e ndjej se kjo përkrahje vjen edhe nga gjithë të tjerët që na kanë përkrahur. Sot nuk është politika në qendër të vëmendjes, por jeni ju studentë. Vitet më të rëndësishme tuajat fillojnë sot.
Një fjalë e urtë thotë se “Arsimi ngjyros më kuq se sa vet ngjyra e kuqe”. Kjo është një lutje për ju, që në këto katër vitet e ardhshme edhe ju të jeni pjesë e kësaj ngjyre, e këtij koloriti të arsimit dhe zhvillimit të vendit tuaj, – tha z Moench.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i Komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja, ndërkaq në këtë ceremoni morën pjesë studentë, profesorë, qytetarë dhe përfaqësues të spektrit politik të Prizrenit dhe të viseve tjera të Kosovës.
Last modified: 26 Gusht, 2022