MASHT

Filloi punimet Konferenca vjetore “Java e Shkencës 2016”

10 Maj, 2016

Ka filluar punimet Konferenca treditore kombëtare “Java e Shkencës 2016”, në të cilën po marrin pjesë shkencëtarë të fushave të ndryshme nga vendi dhe rajoni të cilët prezantojnë kontributet e tyre shkencore në promovimin e shkencës në Republikën e Kosovës. Kjo konferëncë tashmë tradicionale e cila oragnizohet nga MASHT, është një mundësi e mirë për të hapur debate tematike që ndërlidhen me arrijet më të reja për të nxitur kështu hulumtimet shkencore.

Fillimet e punimeve të seancës solemne të hapjes së kësaj Konference, i ka nderuar me prezencën e tij  Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i cili njëherësh mbajti fjalë hyrëse.

Presidenti Thaçi ndër të tjera theksoi se Kosova ka shkencëtar të zellshëm  të cilët me punën e tyre hulumtuese shkencore do të arrijnë suksese dalluese dhe do të bëjnë të mundur trasimin e një përspektive të qartë zhvillimore për Republikën e Kosovës dhe në këtë kaudër shprehu vullnetin e tij për angazhimin e gjithmbarëshëm institucional për zhvillimin e shkencës dhe inovacionit në Kosovë.

“Ju shkencëtarë të nderuar do të determinoni jo vetëm të sotmen, por do të përcaktoni qartë se ku do të jetë Kosova pas një periudhe njëzet vjeçare dhe më gjatë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, ministri Bajrami e vlerësoi lartë rëndësinë e organizimit të kësaj konference, e cila ka për qëllim prezantimin e arritjeve të Kosovës në shkencë, ndërkaq shtoi se prezenca e presidentit të vendit tregon përkushtimin e Republikës së Kosovës, për të investuar në zhvillimin dhe promovimin e shkencës dhe talentëve të rinjë.

Ministri Bajrami tha se kërkimi dhe hulumtimi shkencor janë një element i rëndësishëm i zhvillimit dhe progresit të secilit shtet dhe se investimet në këtë fushë janë investime në të ardhmen, ndërkaq foli edhe për objektivat e Qeverisë së Kosovës në këtë fushë.

“Objektivi i parë i Qeverisë së Kosovës është stimulimi i hulumtuesve përmes ndarjes së fondeve. Objektivi i dytë është që shkencën ta bëjnë universitetet, institutet dhe qendrat e hulumtimit, duke ringjallur punën kërkimore pranë çdo fakulteti, dhe objektivi i tretë është përfshirja e hulumtuesve tanë në projektet e BE-së, sidomos në projektin Horizon 2020”, theksoi ministri Bajrami.

Kryetarja e Këshillit Shkencor të MASHT-it, Myzafere Limani, tha se Programi Kombëtar i Shkencës adreson sfidat me të cilat ballafaqohet shkenca dhe hulumtuesit në vendin tonë. Në fjalën e saj, ndër të tjera, znj. Limani, theksoi se për dallim nga vitet tjera, kur numri i punimeve ishte dukshëm më i madh, këtë vit, kemi më kemi më pak të tilla, mirpo kjo falë ngritjes së cilësisë së kritereve përzgjedhëse.

Ndryshe, rreth 140 punime shkencore nga fusha e gjuhësisë, kulturës, teknologjisë, mjekësisë, edukimit, energjisë dhe e mjedisit, historisë, ekonomisë, bujqësisë, sigurimit të ushqimit do të prezantohen në tri ditë aq sa do të zgjasë “Java e Shkencës 2016”.

Punimet që do të prezantohen janë përzgjedhur nga autorë dhe koautorë nga Kosova dhe vende të ndryshme të Evropës që kanë konkurruar, ndërsa seanca e parë i është kushtuar studimeve gjuhësore dhe kulturore.

Last modified: 30 Gusht, 2022