Ka filluar punimet konferenca ndërkombëtare “Ndikimi i mekanizmave të sigurimit të cilësisë në krijimin e një kulture cilësore në arsimin e lartë”, e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe mbështetur nga Projekti Heras Plus, në të cilën morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, si dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme të arsimit të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast kanë thënë se, prioritet i Qeverisë është cilësia në arsimin e lartë dhe pavarësia e Agjencisë për Akreditim.
“E kemi finalizuar projektligjin për arsimin e lartë, është finalizuar dhe votuar në Kuvend Ligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), e kemi siguruar objektin për agjencinë, kemi aprovuar vendet e lira të punës në AKA, për kompletimin e stafit dhe i kemi buxhetuar ato”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se, kjo konferencë synon një qëllim madhor: ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë, ndërsa e cilësoi si tepër të rëndësishme pjesëmarrjen e akterëve vendor dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të ENQA-s dhe EQAR-it.
Ministrja Nagavci tha se, krijimi i kulturës cilësore në arsimin e lartë është një pikësynim sa i gjerë ashtu edhe kompleks, me shtrirje të gjatë në aspektin kohor dhe aspektin e burimeve.
“Kultivimi i kësaj kulture kërkon vëmendje, largpamësi, mendje të hapur dhe vizion të qartë”, ka thënë Nagavci.
Ndër të tjera, Nagavci ka folur edhe për një varg veprimesh e politikash në funksion të përmirësimit të cilësisë në Arsimin e Lartë dhe sigurimit të pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim , ndërsa shtoi se, Kosova është vendi i parë në rajon që ka një ligj që i siguron kësaj agjencie pavarësi institucionale dhe financiare dhe funksionim të plotë të saj.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer theksoi se, Austria është donatori më aktiv në fushën e arsimit të lartë në Kosovë. Schnetzer tha se shpreson që në të ardhmen kjo konferencë do të shërbejë si një platformë për sigurimin e cilësisë në të cilën do të përfshihen akterë nga Ballkani Perëndimor.
Për rëndësinë e konferencës kanë folur edhe kryetarja e Bordit të AKK-së, Hasnije Ilazi dhe drejtori i AKK-së Naim Gashi, të cilët elaboruan punën dhe angazhimin e Agjencisë në misionin e saj për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë.
Last modified: 26 Shtator, 2023