Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në hapjen e Konferencës dyditore“Menaxhimi financiar i institucioneve publike të arsimit të lartë në Kosovë”, e cila organizohet nga MAShT, në bashkëpunim me disa institucione vendore dhe ndërkombëtare.
Qëllimet kryesore të kësaj Konference janë: Prezantimi i rezultateve të projektit “Ngritja e autonomisë dhe llogaridhënies financiare në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë”, i financuar nga Bashkimi Europian, përmes programit Tempus, dorëzimi zyrtar i Dokumentit të Bardhë, që përmbanë propozime në lidhje me “Modelin financiar për Sistemin e Arsimit të Lartë Publik në Kosovë“ dhe diskutimi për sfidat e ardhshme të menaxhimit financiar të universiteteve publike.
Ministri Bajrami, e vlerësoi rëndësinë e kësaj Konference, sa i përket gjetjes së mënyrave më të mira të financimit dhe realizimit të plotë të autonomisë financiare të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ndërlidhjes së universiteteve me nevojat e tregut të punës dhe profilizimin e fakulteteve, drejt fushave për të cilat tregu ka nevojë.
“Secili universitet duhet të ngritë kapacitetet e brendshme për të dizajnuar planin e zhvillimit stategjik dhe gjenerimin e të hyrave, si një mundësi e zhvillimit të një sistemi konkurent të financimit. Jemi të vendosur të zhvillojmë procesin e profilizimit dhe krijimin e identitetit të çdo Institucioni të Arsimit të Lartë”, tha ministri Bajrami.
Ministri Bajrami foli edhe për aplikimin e praktikave më të mira të universiteteve ndërkombëtare, sa i përket formulës së financimit, ndërlidhjen e formulës së financimit me përformancën e IAL-së dhe sigurimin e të hyrave vetanake të financimit, në mënyrë që Arsimi i Lartë të jetë një shtyllë e fuqishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe konkurent në shtetet e BE- së.
Ministri Bajrami, po ashtu, ofroi mbështetjen e plotë për programet e reja, të cilat kërkohen nga studentët dhe mundësojnë ndërtimin e tyre në karrierë. „Secili program duhet të ketë disa klauzola shtesë për të aplikuar, klauzolën e nevojës së atij programi, klauzolën e punësueshmërisë së studentëve dhe klauzolën financiare“, theksoi ministri.
Për rëndësinë e Konferencës folën edhe rektori i Universitetit „Hasan Prishtina“ në Prishtinë, z. Marjan Dema dhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Luigji Brusa.
Last modified: 29 Gusht, 2022