MASHT

Filloi procesi i rishikimit të projektligjit për Arsimin e Lartë dhe hartimit të projektligjit për Profesionet e Rregulluara

25 Shkurt, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në takimin e parë të grupit punues për rishikimin e projektligjit për Arsimin e Lartë dhe hartimin e projektligjit për Profesionet e Rregulluara.

Fillimin e këtij procesi, ministri Bajrami e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për zhvillimin e Zonës Kombëtare të Arsimit të Lartë, ndërsa prezantoi qëllimet e këtij procesi me përmasa kombëtare. “Arsimi i lartë është një parakusht edhe i zhvillimit ekonomik, por si duket siç duket edhe i stabilitetit politik”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se universitetet e forta garantojnë një demokraci të zhvilluar.

“Te ne universitetet janë më shumë se institucione të arsimit të lartë dhe është detyrë e jona që t’i kthejmë në sfondin real që ta merr rolin që ka universiteti në një shtet të pavarur, duke u liruar nga një rol politik dhe duke u shndërruar në vatra të fuqishme akademike, hulumtuese dhe shkencore”.

Në këtë proces, ministri Bajrami tha se do të tentohet të arrihet konsensus akademik ku do të kyçen të gjithë profesorët dhe studentët. “Do të bisedojmë me studentët për rolin e tyre në universitet. Ata janë pronarë të universitetit, por duhet të bisedojmë se çfarë roli duhet ta kenë ata dhe gjithmonë do t’i përkrahim në kërkesat për cilësi, për kushte më të mira e profesorë më të mirë, libra më të mira, por duhet t’iu themi haptas se ata duhet t’i nënshtrohen një roli akademik”.

Debati do të bëhet edhe me shoqërinë civile ku do të përfshihen ekspertët e fushës së arsimit, sepse tha ministri, duam të hartojmë një ligj të mirë, i cili është parakusht për stabilitetin e zonës kombëtare të arsimit të lartë, “sepse ne kemi nevojë që të kemi stabilitet në mënyrë që të përqendrohemi shumë në mekanizmat e monitorimit të cilësisë”. Po ashtu, ministri përmendi edhe arritjen e konsensusit të nivelit politik, i cili duhet të ndërtohet në Parlamentin e Kosovës.

Ndërsa, sa i përket Ligjit për Profesionet e Rregulluara, i cili i ka munguar kosovës, ministri Bajrami tha se është një ligj që do të vendosë standardet e profesioneve të caktuara dhe do të jetë një ligj që do të vendosë rend, cilësi dhe kualitet dhe do t’i jep kuptim diplomave universitare. “Ky ligj do të jetë instrument për monitorimin e cilësisë së diplomave akademike, në mënyrë që ne të ndërtojmë bashkë me partnerët tanë, standardet e profesionit dhe ta formojmë vitin e ardhshëm Agjencinë Kombëtare për Teste”, tha ministri Bajrami.

Grupit punues për rishikimin, respektivisht hartimin e këtyre projektligjeve, nga java e ardhshme do t’i bashkohen edhe shumë ekspertë ndërkombëtar.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.