MASHT

Filloi Konferenca “ Reformat në vlerësimin e nëxënësve sipas kurrikulës së re”

15 Prill, 2016

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me USAID-in kanë organizuar Konferenvën dyditore “Reformat në vlerësimin e nxënësve sipas kurrikulës së re”, e cila ka për qëllim të informojë palët kryesore mbi procesin e reformave aktuale kurrikulare, përfshirë Drejtoritë Komunale të Arsimit, shkollat e përfshira në reformën kurrikulare, sektorët e caktuar brenda MAShT-it dhe publikun e gjerë.

Në emër të ministrit Bajrami, punimet e konferencës i ka hapur këshilltari Azem Guri, i cili ka folur për ecurinë e procesit të pilotimit të kurrikulës së re, e cila për herë të parë ka filluar në vitin shkollor 2013/ 2014 në 10 shkolla dhe është zgjeruar ndër vite, si dhe finalizmin e Udhëzimit Administrativ, i cili do t’u krijojë lehtësia mësimdhënësve në vlerësimin e nxënësve.

“ Janë trajnuar dhe certifikuar mbi 3100 mësimdhënës për zbatimin e kurrikulës së re. Zhvillimi i planprogrameve lëndore për shkollat pilotuese, rishikimi i përmbajtjeve të teksteve shkollore dhe përgatitja e materialeve të tjera për mësimdhënie, zbatimi i praktikave të reja të vlerësimit të njohurive të nxënësve dhe aktivizimi i aktiviteteve profesionale në shkollat pilotuese, janë disa aspekte me rëndësi të këtij procesi”, ka thënë këshilltari Guri.

Këshilltari Guri ka folur edhe për miratimin e Strategjisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar në Kosovë 2016- 2020, themelimin e Këshillit të Ekspertëve për rishikimin e teksteve shkollore, marrjen e një kredie të butë në vlerë prej 11 milionë dollarëve nga Banka Botërore, si disa nga hapat konkret për përmirësimin e cilësisë në sistemin e arsimit në Kosovë.

Në këtë konferencë do të diskutohet dhe reflektohet për përvojat dhe sfidat e deritashme në procesin e pilotimit të kurrikulës së re, ndërsa pjesëmarrësit do të informohen dhe diskutojnë  edhe për  draftin e Udhëzimit Administrativ për vlerësim të  nxënësve .

Last modified: 30 Gusht, 2022