Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Nehat Mustafa me bashkëpunëtorë dhe përfaqësues nga organizata “Save dhe Children”, morën pjesë në hapjen e fushatës së përbashkët, me qëllim të vetëdijesimit mbi të drejtën e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore dhe arsimin gjithëpërfshirës.
Zëvendësministri Mustafa, me këtë rast, ka zhvilluar një takim me drejtorët e institucioneve parashkollore në Gjilan, ku ka theksuar se në Kosovë janë rreth 6100 fëmijë që janë identifikuar si fëmijë me nevoja të veçanta arsimore.
Zv/ministri Mustafa tha se, supozohet që numri i fëmijëve me nevoja të veçanta në arsim është më i madh, por që nuk janë regjistruar.
“Është e pamundur që vetëm institucionet arsimore ta konstatojnë një gjë të tillë. Do të ishte e udhës që në të ardhmen, MAShT në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë përmes ndonjë memorandumi të veçantë, të obligojë Qendrat e Mjekësisë Familjare, që të informojnë institucionet arsimore për fëmijët me nevoja të veçanta, përmes vizitave te pediatri”, ka theksuar ai.
Zv/ministri Mustafa theksoi se politikat e Ministrisë së Arsimit, sa i përket gjithëpërfirjes janë njëra prej pikave që është vlerësuar pozitivisht nga institucionet ndërkombëtare.
“Fakti që sot çdo fëmijë me nevoja të veçanta mund të jetë pjesë e shkollave të rregullta, duke mos u trajtuar si fëmijë më ndryshe nga të tjerët, tregon se sa shumë është duke u punuar në ngritjen e vetëdijes së opinionit. Ende nuk e kemi gjendjen ideale, por krenohemi shumë me punën që është bërë”, ka thënë ai.
Drejtori i organizatës “Save dhe Children” për Kosovë, Ahmet Kryeziu ka thënë se, Kosova deri më tani ka arritur një progres të jashtëzakonshëm sa i përket gjithpërfshirjes, falë angazhimit të stafit mësimdhënës dhe përkrahjes së Ministrisë së Arsimit.
Aktorja e njohur Yllka Gashi, e cila është edhe ambasore e “Save the Children” për fëmijët me nevoja të veçanta theksoi se “është një nder i madh t’i bashkohem ‘Save the Children’ për të ndihmuar më shumë fëmijëve me nevoja të veçanta që të kenë qasje në arsimim cilësor parashkollor dhe fillor”.
Kopshti i fëmijëve “Integj” ku është bërë hapja zyrtare e kampanjës deri më tani ka trajtuar njëzet fëmijë me nevoja të veçanta në arsim, ku 11 prej tyre janë regjistruar në shkolla të rregullta, 1 në klasë të bashkëngjitur, ndërsa 8 prej tyre ende janë duke u trajtuar në këtë institucion.
Fushata vetëdijesuese, e cila ka filluar sot, do të zgjasë tri javë.
Last modified: 30 Gusht, 2022