Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi kanë vënë gurthemelin e çerdhes në fshatin Rekë-Vatë të Kaçanikut.
Kryeministri Albin Kurti me këtë rast ka përgëzuar qytetarët e Kaçanikut për gurthemelin e kësj çerdheje, e cila ka vlerën mbi 1 milion euro dhe do të jetë e destinuar për 40 fëmijë.Kryeministri Kurti ka theksuar se Qeveria është përqendruar në ndërtimin e çerdheve në tërë vendin, me rreth 65 çerdhe të ndërtuara deri më tani dhe një investim prej mbi 37 milion euro. Kjo ka sjell një rritje të ndjeshme të numrit të fëmijëve që shkojnë në çerdhe, një rritje prej rreth 33%.
Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se ndërtimi i çerdhes së dytë publike në Kaçanik brenda një viti dhe fillimi i procedurave për një çerdhe të tretë janë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve arsimore për fëmijët e kësaj zone. Po ashtu, është inkurajuese të dëgjohet se shkolla “Emin Duraku” do të përfitojë nga buxheti i vitit 2025 për përmirësime të nevojshme.
Po ashtu, ministrja Nagavci njoftoi se MAShTI vazhdon të punojë për përmirësimin e cilësisë së arsimit në komunën e Kaçanikut përmes projekteve të ndryshme. Konkretisht, është në proces projekti i ndërtimit të shkollës në Doganaj, me një vlerë investimi prej 1,245,235.24 euro.
Gjithashtu, gjatë këtij mandati qeverisës, janë furnizuar shkollat e kësaj komune me pajisje laboratorike, sportive dhe të mirëmbajtjes, të cilat kapin një total prej 2,670,690.82 euro.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi tha se investimet në arsim dhe infrastrukturë si këto, janë thelbësore për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të fëmijëve dhe të rinjve.
Last modified: 30 Dhjetor, 2024