MASHT

Është vendosur gurthemeli i çerdhes së re në Roganë të Kamenicës

10 Mars, 2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimaj kanë vendosur gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në fshatin Roganë të Kamenicës, projekt i bashkëfinancuar nga Ministria e Arsimit dhe Komuna e Kamenicës.

Kryeministri Albin Kurti më këtë rast ka theksuar se, është një lajm i mirë për banorët e Roganës dhe qytetarët e Kamenicës në përgjithësi ky investim në edukimin në fëmijërinë e hershme ku gjithnjë e më shumë studimet tregojnë se janë hapat vendimtar për ngritjen e ardhshme në profesion dhe karrierë dhe për bërjen e fëmijëve qytetarë intelektual të Republikës së Kosovës.

Kryeministri tha se kjo është çerdhja e tretë publike në komunën e Kamenicës, e cila deri në vitin para katër viteve e kishte vetëm një çerdhe.

Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se, pas ndërtimit të çerdhes në Koretinë dhe një çerdheje tjetër të renovuar, çerdhja në Roganë do të jetë e treta për banorët e kësaj ane, ndërsa theksoi se gjatë këtij mandati qeverisës janë investuar më shumë se 6 milion euro në përmirësimin e infrastrukturës shkollore në këtë komunë.

Ndërsa, kryetari i Kamenicës, Kadri Rrahimaj falënderoi Qeverinë e Kosovës për investimet në këtë komunë, duke besuar se projekte të tilla Kamenica do të ketë edhe në të ardhmen, në mënyrë që banorët të kenë mirëqenie të plotë.

Objekti i çerdhes në fshatin Roganë do të ketë sipërfaqe rreth 600 metër katror, me kapacitet për sistemimin e 100 fëmijëve, ku MAShTI do të financojë 646.740 euro, ndërsa Komuna e Kamenicës 71. 860 euro.

Last modified: 10 Mars, 2025