MASHT

ËSHTË REALIZUAR INSPEKTIM I PËRBASHKËT NË 16 INSTITUCIONE PARASHKOLLORE NË KOMUNËN E PRISHTINËS

14 Mars, 2024

Me qëllim të ngritjes së cilësisë së punës, edukimit, kujdesit dhe mirëqenies së fëmijëve në fëmijërinë e hershme dhe duke parë nevojat për inspektime në institucionet parashkollore, Inspektorati i Arsimit, në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin e Sanitarisë kanë realizuar inspektim të përbashkët, në institucionet parashkollore në Komunën e Prishtinës.

U.D. Drejtoresha e Përgjithshme e Inspektoratit të Arsimit, Hidajete Vokshi ka thënë se, kjo iniciativë e përbashkët e inspektimit synon ushtrimin e veprimtarisë sipas vendimit të licencës, kushtet higjenike dhe sigurinë në punë në institucionet parashkollore.

Vokshi ka thënë se, ky aktivitet ka filluar në Komunën e Prishtinës, meqenëse numri i institucioneve parashkollore është në rritje dhe do të vazhdojë edhe me komuna të tjera në vazhdimësi, duke shtuar se, për gjetjet konkrete dhe konstatimet gjatë inspektimeve në këto institucione janë dhënë rekomandimet përkatëse dhe do të veprohet sipas legjislacionit në fuqi.

Më tej, është bërë e ditur se, niveli i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të inspektorateve ishte në nivel të lartë dhe është mirëpritur nga divizionet të cilat ndërlidhen me edukimin në fëmijërinë e hershme dhe me procesin e licencimit të institucioneve edukativo-arsimore private parashkollore.

Inspektimet e përbashkëta janë realizuar nga data 04 deri më 07 mars 2024, në 16 institucione parashkollore, 4 institucione publike dhe 12 private.

Inspektimet e përbashkëta të realizuara në institucionet parashkollore janë të bazuar në Ligjin nr. 06/L-046 të Inspektoratit të Arsimit, në Ligjin nr. 08/L-153 për Edukim në fëmijërinë e hershme, në Ligjin nr.04/ L-032 për Arsim Parauniversitar  në neni 18, dhe nenin 21 paragrafi 1.5 të Ligjit nr. 08/L-067 për Inspektime, dhe legjislacionin tjetër në fuqi.

Last modified: 14 Mars, 2024