Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu morën pjesë në konferencën për publikimin e raportit të monitorimit “Karta e Vlerësimit”- Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve?, të organizuar nga Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve-KOMF.
Raporti i cili u publikua nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe jep rekomandime të cilat mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e tyre në Kosovë.
Kryeministri Kurti, theksoi rëndësinë e raportit të monitorimit “Karta e Vlerësimit” për kujdesin ndaj fëmijëve në Kosovë, duke e cilësuar atë si mjet të rëndësishëm për të vlerësuar dhe përmirësuar politikat dhe praktikat në këtë fushë.
Ai vuri në dukje se raporti afron një pasqyrë të qartë të sfidave dhe arritjeve në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe se Qeveria është e përkushtuar për të adresuar rekomandimet e tij për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e Kosovës.
Ministrja Arbërie Nagavci në fjalën e saj theksoi se, Strategjia e re e Arsimit 2022-2026 ka vendosur edukimin në fëmijërinë e hershme në krye të prioriteteve të saj, duke shtuar se, ky është objektivi i parë strategjik, me qëllim të përmirësimit të qasjes dhe cilësisë së shërbimeve për fëmijët e vegjël.
Ministrja Nagavci gjithashtu theksoi rëndësinë e fushatës një mujore kundër dhunës në shkolla, e cila realizohet çdo vit me moton “Së bashku për shkollën miqësore”, fushatë kjo që përfshinë video promovuese, emisionet televizive, ligjërata dhe diskutime me nxënës, mësimdhënës dhe prindër, duke synuar të rrisë ndërgjegjësimin dhe të promovojë një mjedis shkollor më të sigurt dhe miqësor.
Në lidhje me grupet e ndjeshme, si personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet egjiptiane, ashkali dhe rom, ministrja Nagavci përmendi se gjatë këtij mandati qeverisës janë marrë një varg veprimesh dhe masash afirmative për të përmirësuar qasjen dhe mbështetjen për këto grupe.
Ndërsa, ministrja Haxhiu theksoi rëndësinë e raportit për të identifikuar dhe adresuar sfidat në sistemin e mbrojtjes sociale në Kosovë. Ajo gjithashtu falënderoi partnerët ndërkombëtar dhe organizatat që kanë kontribuar në realizimin e këtij raporti dhe përkushtimin e tyre për të përmirësuar shërbimet sociale në Kosovë.
Raporti “Karta e Vlerësimit” është pjesë e projektit rajonal SMART Balkans-Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Last modified: 8 Tetor, 2024