MASHT

Është prezantuar Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme

19 Shtator, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim të ngushtë me UNICEF në Kosovë, ka prezantuar Ligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili është miratuar në Kuvend.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm krijimin e bazës ligjore për përcaktimin e normave për kujdesin, zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme.

Ministrja Nagavci tha se, finalizimi i këtij Ligji është përmbushja e një zotimi për të cilin jemi krenarë si Qeveri dhe si Ministri e Arsimit.

“Është detyrim i yni, si qytetarë të Kosovës dhe si prindër të brezit të ri, që të krijojmë kushtet dhe të ofrojmë mundësitë më të mira që fëmijët tanë të rriten të shëndetshëm, të mbarë dhe të ushqyer me dije”, u shpreh ministrja Nagavci.

Nagavci gjithashtu tha se, Ligji i ri për EFH sjell disa risi të theksuara, në krahasim me kuadrin ligjor ekzistues, pra mbi bazën e këtij ligji nga viti shkollor 2024/2025, edukimin parafillor bëhet i obligueshëm.

Ndër të tjera, Nagavci tha se, miratimi dhe ratifikimi i këtij ligji nuk është përfundimi i punës sonë, por është pikënisje e re drejt zbatimit praktik të ligjit, duke pritur që puna të vazhdojë me të njëjtin ritëm intensiv, me përkushtim e seriozitet.

Ministrja Nagavci ka përgëzuar grupin punues për hartimin e Ligjit për EFH, për punën e pakursyer dhe për kontributin në këtë proces me kaq rëndësi, përfshirë edhe partnerët tanë zhvillimorë – posaçërisht UNICEF, i cili ka qenë i përfshirë në çdo hap të procesit.

Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, tha se miratimi i Ligjit për EFH është një reformë në politikat arsimore sepse për herë të parë në Kosovë po ofrohet një kornizë ligjore, e cila mbulon shërbimet në edukimin e fëmijërisë së hershme.

Zicherman tha se ky Ligj ka për qëllim të ngrisë cilësinë, të rrisë pjesëmarrjen dhe të sigurojë kushtet e nevojshme për kujdesin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme.

Ndryshe, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në botë (OECD) e konsideron edukimin cilësor në fëmijërinë e hershme si tregues kyç në vlerësimin e shëndetit të ekonomisë së një kombi. Më tej, UNESCO mbështet fuqishëm EFH-në si një prej qëllimeve të saj për zhvillim të qëndrueshëm.

Last modified: 19 Shtator, 2023