MASHT

ËSHTË PËRURUAR QENDRA PËR ARSIMIN DHE EDUKIMIN E TË RINJVE DHE TË RRITURVE NË PRIZREN

3 Prill, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, drejtori i DVV International për Kaukazin dhe Evropën Juglindore, Thomas Lichtenberg, rektori i UPUH, Mentor Alishani, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, zëvendësministri i MKRS, Sylejman Elshani kanë përuruar sot Qendrën për Arsimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve (YALEC) në Prizren.

Ministrja Nagavci me rastin e përurimit të kësaj Qendre tha se, themelimi dhe hapja e Qendrës së parë holistike për arsimin e të rinjve dhe të rriturve, është një hallkë thelbësore në vazhdën e punës së madhe që po bëhet në Kosovë, mbi bazën e besimit që kemi se mësimi tërëjetësor ka rëndësi jetike.

Ministrja Nagavci vlerësoi se, me modelin dhe përvojën gjermane të shkollave popullore, kjo Qendër do të bëhet pikëlidhje e rëndësishme për të ardhmen e suksesshme të rajonit të Prizrenit dhe më tej, duke besuar fuqimisht që ky shembull do të ndiqet edhe nga komunat e tjera.

Nagavci theksoi se, mësimi tërëjetësor është pjesë e pandashme e kohës që po jetojmë dhe në këtë kuadër, duhet t’u përshtatemi nevojave të kohës dhe tregut të punës, duke mësuar çdo ditë diçka të re, me qëllim që të qëndrojmë relevant në qarqet profesionale. Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka folur për arsimin profesional dhe arsimin e të rriturve, si një nga prioritetetet e Qeverisë në 3 vitet e e fundit, në përputhje edhe me nismat mbarë-evropiane në këtë drejtim.

Në këtë drejtim, Nagavci bëri të ditur se, Ministria e Arsimit punon në kuadër të kornizës legjislative për arsimin e të rriturve, si dhe duke u bazuar në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2030, ku Shtylla II për zhvillimin njerëzor përfshin: Qasjen në arsim cilësor për të gjithë, dhe Punësim gjithëpërfshirës e dinjitoz për të gjithë.

Ministrja Nagavci ka folur edhe për veprimet të cilat janë ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të arsimit për të rritur dhe arsimit tërëjetësor, siç janë: akreditimi i institucioneve arsimore të cilat ofrojnë arsim për të rritur, kurset e përshpejtuara për arsimin e të rriturve, hartimi i programeve të trajnimit për mësimdhënësit/ instruktorët e përfshirë në arsimin e të rriturve, akreditimi i dy institucione të arsimit dhe aftësimit për të ofruar programe kualifikimi për këshilltarët e karrierës për AAP dhe asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe fuqizimi i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve për të bërë akreditimin e programeve për arsimin e të rriturve që ofrohen nga institucione publike dhe private.

Ministrja Nagavci ka falënderuar Qeverinë e Gjermanisë për mbështetjen dhe kontributin konkret që vazhdon të japë në zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë kosovare, ndërsa ka përgëzuar DVV International dhe OJQ-në Think Young për punën e palodhur në themelimin e kësaj Qendre.

Për rëndësinë e hapjes së kësaj Qendre sa i përket arsimimit gjatë gjithë jetës dhe shembullin që mund të jap edhe për qytetet tjera kanë folur edhe pjesëmarrësit tjerë të kësaj ngjarje të rëndësishme për arsimin në Prizren dhe në Kosovë

Last modified: 3 Prill, 2024