Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përuruan sot objektin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në UP. Në ceremoninë solemne të këtij inaugurimi ishte i pranishëm edhe Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Muhedin Nushi.
Qëllimi i kësaj Qendre është zhvillimi i ideve dhe projekteve inovative për personat fizik dhe bizneset fillestare (Start Up), me qëllim të parapërgatitjes dhe zhvillimit të veprimtarive të ndërmarrësve inovatorë.
Këshilltari Nushi në fjalën e tij të rastit tha se, Qendra për Inovacion dhe Ndërmarrësi do të luajë rol thelbësor si inkubator i ideve dhe kultivues i potencialit inovativ të të rinjve tanë.Nushi shtoi se Qendra do të hapë dyer të reja për rininë tanë, për studentët që sot përgatiten për t’u bërë profesionistët e së nesërmes, do të mirëpresë përfaqësuesit e bizneseve dhe kompanive të ndryshme, të cilët do të kenë një hapësirë enkas të dedikuar për të eksploruar talentet e reja dhe do të lehtësojë shkëmbimin e ideve – çka sjell zhvillim dhe produktivitet të shtuar.
Ndër të tjera, këshilltari Nushi ka thënë se Ministria e Arsimit ka vënë theks të veçantë tek rëndësia e përgatitjes së të rinjve për tregun e punës. Ai theksoi se kjo Qendër mund të jetë hapësirë e dobishme edhe për nxënësit e arsimit dual, ku nxënësit kryejnë mësim dhe punë njëkohësisht, ndërsa brenda dy viteve janë 12 profile të arsimit dual, në 24 shkolla, në 14 komuna, ku deri tani janë të përfshirë 920 nxënës gjithsej.
Rektori Qerimi u shpreh se, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit ndërmjet industrisë dhe akademisë, të kontribuohet në zhvillimin e ideve dhe projekteve inovative për studentët, stafin akademik të UP-së, bizneset fillestare dhe komunitetin.
Ndërkaq, ministrja Rozeta Hajdari tha se, MINT-i synon të ofrojë sa më shumë hapësirë për subjektet dhe individët që kryejnë veprimtari inovatore, qëllimi i të cilave është zhvillimi dhe realizimi i inovacioneve që kontribuojnë në transformimin gradual të Kosovës në një ekonomi më të ardhura të larta.
Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të ofrojë hapësirë fizike dhe ekspertizë të nevojshme për shumë ndërmarrës të rinj, për mbështetje në zhvillimin e ideve inovative dhe projekteve ndërmarrëse, që nga faza e para-inkubimit, inkubimit e deri të lansimi i produktit. Ndërtimi i kësaj Qendre ka kushtuar rreth 1 milion euro.
Last modified: 4 Mars, 2024