Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ish-ambasadori i Kosovës në Turqi, Bekim Sejdiu dhe drejtori i Arsimit, Qemajl Sejdiu, në praninë e nxënësve, mësimdhënësve, veteranëve të arsimit dhe qytetarëve të Grabanicës së Klinës, kanë përuruar sot objektin e ri të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Azem Bejta”.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, jemi bashkë në përurimin e kësaj shkolle moderne, me objektiva e synime të qarta sepse e kemi për detyrë të jemi pranë jush për krijimin e kushteve më të mira për një arsim sa më cilësor.
Ministrja Nagavci tha se janë investuar mbi 800 mijë euro për të ndërtuar këtë objekt dhe për ta pajisur me materiale pune për nxënësit, për t’iu krijuar mundësi atyre për një udhëtim të lehtë gjatë shkollimit.
Nagavci po ashtu tha se, Grabanica karakterizohet nga një popullatë diverse, gjë që dëshmon se po veprojmë bashkërisht për ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë. Ajo tha se kemi qenë dhe jemi të gatshëm të japim zgjidhje për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, pasi Qeveria në asnjë moment nuk e vë në dyshim mbështetjen për arsim cilësor.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj foli për traditën dhe historinë e lavdishme të kësaj shkolle, e cila është në shërbim të arsimimit të gjeneratave të kësaj ane tash e 78 vite, duke përgatitur kuadro të cilat kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut në shumë sektor dhe mbi të gjitha ka dhënë një shembull të mirë të rezistencës kundër shtypjes në Kosovë.
Për rëndësinë e ndërtimit të këtij objekti modern dhe traditën e kësaj shkolle shumë vjeçare kanë folur drejtori i shkollës, Fadil Berisha dhe veprimtari Zenun Zeqa.
Last modified: 8 Prill, 2024