Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi morën pjesë në aktivitetin përmbyllës të javës së Orës së Kodimit, me ç’rast nxënësit e Shkollës Profesionale “Gjin Gazulli”, në Prishtinë prezantuan aplikacionin mobil Hackathon-Prototipi 112.
Kryeministri Albin Kurti tha se ishte mbresëlënës demonstrimi i punës së përbashkët të nxënësve, ndërsa bëri të ditur se, nga viti i ardhshëm shkollor, gjuha e kodimit do të futet në kurrikulat e arsimit në Kosovë si lëndë mësimore, që nga klasa e parë.
Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se, këtë javë përmes Orës së Kodimit në Kosovë, kemi parë zhvillimin e potencialit dhe lindjen e inovacionit për të ardhmen.
Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, tha se MAShTI në bashkëpunim me SHPIK, Code.org dhe shkollat për herë të parë kanë jetësuar iniciativën e Orës së Kodimit në 300 shkolla.
Zv/ministri Kelmendi po ashtu tha se, Ora e Kodimit nisi në vitin 2013 nga organizata ndërkombëtare si një nismë revolucionare në teknologji, duke pasur synim kryesor krijimin e një lëvizje globale që i inkurajon të gjithë të mësojnë kodimin dhe teknologjinë, duke filluar nga fëmijëria e hershme.
Për rëndësinë e kësaj nisme ka folur edhe drejtori ekzekutiv i ShPIK, Bekim Kasumi.
Last modified: 17 Nëntor, 2023