Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në mbledhjen konstituive të Këshillit Shtetëror për Licencim të Mësimdhënësve, ku kryetar është zgjedhur Osman Beka dhe nënkryetare Ardiana Ismaili.
Ministrja Nagavci e cila e kryesoi mbledhjen konstituive tha se, ndjehet mirë që kryesia dhe anëtarët e Këshillit kanë qenë të përfshirë në një varg procesesh të rëndësishme, të cilat ndërlidhen me rolin dhe përgjegjësitë me të cilat janë ngarkuar si pjesë e këtij organi të rëndësishëm të Ministrisë së Arsimit.
Ministrja Nagavci tha se, pjesë e rëndësishme e punës së Këshillit do të jetë pakoja e udhëzimeve administrative për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, për çka edhe tha se do të kenë mbështetjen e nevojshme të saj.
Ndër të tjera, theksoi se ndryshimi i legjislacionit të KShLM-së ka qenë shumë i rëndësishëm dhe se është bërë një punë shumë e mirë në hartimin e Udhëzimit Administrativ të Këshillit.
Ministrja Nagavci uroi kryesinë dhe anëtarët që me përgjegjësi t’i kryejnë detyrat të cilat dalin nga Këshilli.
Ndërsa, kryetari i KShLM, Osman Beka dhe nënkryetarja, Ardiana Ismaili falënderuan anëtarët për besimin e dhënë, ndërsa u shprehën të bindur se do të angazhohen maksimalisht në punët dhe përgjegjësitë që dalin nga Këshilli, bashkë me ekipën profesionale të cilët janë pjesë përbërëse e tij.
Last modified: 9 Tetor, 2023