Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në Tryezën shkencore mbi fillimin e zbatimit të Programit Kombëtar të Shkencës, e cila synon përmirësimin e mekanizmave dhe rritjen e mbështetjes së veprimtarisë shkencore në Kosovë.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka shprehur bindjen se, programi i tryezës së sotme do të prekë të gjitha aspektet esenciale të fushëveprimit të Programit Kombëtar të Shkencës, me qëllim që ai të realizohet plotësisht, ndërsa shtoi se pjesëmarrja e trurit të vendit në këtë ambient do të bëjë që në përfundim të programit, do të kemi rekomandime konkrete e frytdhënëse për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Ministrja Nagavci tha se, gjatë këtij mandati është avancuar statusi i Kosovës në Programin Kornizë të BE-së për Hulumtim dhe Inovacion, Horizon Europe, duke rezultuar me 142 aplikime, prej të cilave janë financuar 14 projekte, në vlerë totale mbi 1 milion euro.
Duke folur për rëndësinë e hulumtimit në nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit ekonomik të vendit, ministrja Nagavci tha që Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të marrin masa strategjike për ngritje të aktivitetit hulumtues, pasi universitetet në Kosovë janë të orientuara në mësimdhënie dhe më pak në punën kërkimore-shkencore.
Ndër te tjera, ministrja Nagavci vlerësoi se, Këshilli Kombëtar i Shkencës, si organ udhëheqës për zhvillimin sistematik të politikave të veprimtarisë kërkimore shkencore dhe teknologjike në Republikën e Kosovës, ka punuar shumë në identifikimin e masave të nevojshme për eliminimin e barrierave që ndikojnë në zhvillimin e shkencës dhe të inovacionit.
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, Myzafere Limani tha se, në këtë tryezë do të adresohen hapat e parë që duhet të ndërmirren në zbatimin e Programit Kombëtar të Shkencës, i cili tashmë është aprovuar në Kuvend.
Prof.Dr. Limani vlerësoi se, PKSh dhe është një program shumë ambicioz dhe i gjerë, i cili në qoftë se zbatohet në një masë të madhe nga institucionet bartëse të kërkimit shkencor, do të sigurojë një avancim të dukshëm të kërkimeve shkencore në Kosovë.
Tryeza shkencore mbi fillimin e zbatimit të Programit Kombëtar të Shkencës do të zhvillojë punimet në dy sesione, ndërsa disa nga çështjet që do të trajtohen janë: harmonizimi i masave të PKSH-së me nevojat prioritare të IAL-ve në Kosovë dhe buxheti i propozuar në fondin për shkencë, zbatimi i veprimtarisë kërkimore sipas PKSH-së 2023-2028, ndërkombëtarizimi dhe skenarët e bashkëpunimit me diasporën shkencore, etj.
Last modified: 6 Dhjetor, 2024