MASHT

Është mbajtur manifestimi kombëtar “Festa e Abetares”

18 Maj, 2024

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për të katërmbëdhjetin vit me radhë, ka organizuar manifestimin tradicional “Festa e Abetares”, e cila kësaj radhe ka mbledhur në Ferizaj nxënësit e klasave të para nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët përmes pikave artistike të prezantuara në program festuan mësimin e 36 shkronjave të Alfabetit shqip.

Në këtë manifestim morën pjesë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, përfaqësues nga Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, përfaqësues të pushtetit lokal të Ferizajt, prindër, mësimdhënës dhe nxënës të shumtë.

Drejtori i Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Avni Rexha me këtë rast ka thënë se, në zbatimin e programit për bashkëpunim arsimor ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, viti 2012 ishte vit i kurorëzimit të Abetares së përbashkët, ishte vit kur 36 shkronjat e Naum Veqilharxhit u përuruan në qytetin historik të Prizrenit.

Drejtori Rexha, po ashtu tha se, dhjetë vite më vonë, në vitin 2022, Ministria e Arsimit e Kosovës dhe Ministria e Arsimit e Shqipërisë, hartuan Abetaren e përbashkët, që përdoret tani, në Shqipëri e në Kosovë, si dhe në të gjitha trevat tjera shqiptare.

Në fund, Rexha shprehu besimin se nxënësit e vendeve tona, me aftësitë e tyre të mëdha do të sjellin ndryshime pozitive dhe do të na bëjnë krenarë me arritjet e tyre.

Në këtë manifestim, fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, Shkëlqim Allkaj dhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut.

MAShTI me këtë rast ka ndarë mirënjohje për shtatë koordinatorët e shkollave të Kosovës, si dhe për dhjetë shkollat pjesëmarrëse nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut.

Last modified: 18 Maj, 2024

Comments are closed.