MASHT

Është inauguruar çerdhja në Milloshevë të Obiliqit

12 Janar, 2025

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Halil Thaçi, kanë përuruar sot çerdhen në Milloshevë, investim i Ministrisë së Arsimit.

Ministrja, Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, gurëthemeli i këtij objekti është vendosur para një viti, ndërsa tash kur punimet janë realizuar në kohë rekord, po vazhdon inventarizimi, i cili pritet që të përfundojë gjatë javës së ardhshme.

Ministrja Nagavci ka falënderuar kryetarin Gashi për bashkëpunimin sa i përket sigurimit të lokacionit, duke shprehur besimin se, edhe ndërtimi i një çerdheje tjetër në Obiliq, që po ashtu është investim i Ministrisë së Arsimit, do të shkojë mirë dhe do të përfundojë në kohë.

Ministrja Nagavci ka uruar fëmijët që të kalojnë ditë të bukura në këtë objekt modern, i cili i ka munguar kësaj ane dhe ka kapacitet që të akomodojë 80 fëmijë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se, është përmbyllur procesi i rekrutimit të stafit profesional dhe do të vazhdojë të plotësohet me staf mbështetës, në mënyrë që qytetarët ta gëzojnë këtë çerdhe, i cili ka qenë kërkesë e katmotshme e komunës.

Ndryshe, kostoja e përgjithshme e kësaj çerdhe është 569,569.56 euro, për një sipërfaqe prej 886.36 metra katrorë, ndërsa në komunën e Obiliqit gjatë këtij mandati janë investuar në total 1,597,516.91 euro.

Last modified: 12 Janar, 2025