Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri, Arsim Ademi dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni kanë inauguruar objektin e ri të çerdhes në fshatin Dobërçan të Gjilanit, objekt me hapësirë 700 m2 në vlerë mbi 300 mijë euro. Çerdhja në Dobërçan ka kapacitet për sistemimin e 60 fëmijëve dhe është investim i Ministrisë së Arsimit.

Ministrja, Arbërie Nagavci me rastin e inaugurimit të çerdhes ka thënë se, është e lumtur që gjendet në inaugurimin e kësaj çerdheje me standarde të larta dhe hapësira moderne, e pajisur me inventar dhe gjithçka të nevojshme për të filluar procesin e edukimit për fëmijët, të cilët do të vijojnë edukimin këtu.

Ministrja Nagavci uroi që fëmijët të kenë shëndet, ndërsa edukatoreve u uroi punë të mbarë dhe shumë suksese në përgatitjen e gjeneratave të reja.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni theksoi se, kjo është çerdhja e dytë që po e përurohet e që është ndërtim i objektit të ri, pas asaj e cila ishte përuruar në fshatin Zhegër, në të cilën ishte investuar në adaptimin e hapësirave ekzistuese.
Kryetari Hyseni falënderoi ministren Nagavci për investimet që janë bërë në komunën e Gjilanit, sa i përket zgjerimit të infrastrukturës fizike në edukimin në fëmijërinë e hershme, ku nga katër çerdhe sa kishte Gjilani, tani me fillimin e ndërtimit edhe të dy çerdheve të tjera, Gjilani do të ketë nëntë çerdhe publike.
Që nga viti 2021, MAShTI ka investuar gjithsej 6,105,971.30 euro në komunën e Gjilanit.


Last modified: 21 Janar, 2025