MASHT

Zëvendësministri Geci mori pjesë në Konferencën “Forcimi i Integritetit dhe Lufta Kundër Korrupsionit në Arsimin e Lartë”

6 Dhjetor, 2017

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbër Geci mori pjesë sot në Konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës me temën “Forcimi i Integritetit dhe Lufta Kundër Korrupsionit në Arsimin e Lartë”, me theks të veçantë çështjen e Plagjiaturës.

Zv/ministri, Geci ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e ministrit Bytyqi dhe Ministrisë së Arsimit për t’u angazhuar në krijimin dhe forcimin e mekanizmave që do të parandalojnë korrupsionin në Arsimin e Lartë, duke theksuar se, Forcimi i Integritetit Akademik është një çështje mjaft komplekse dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme gjatë gjithë procesit të ngritjes akademike. 


“Sigurisht, Integriteti Akademik në Arsimin e Lartë mbetet një çështje e ndjeshme e cila lidhet drejtpërdrejtë me kulturën e përgjithshme të formimit të personalitetit dhe padyshim është edhe çështje e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë akademike e profesionale e gjithë stafit në ALK” tha Geci. 
Zv/ministri i Arsimit theksoi se, çështja e plagjiaturës nga stafi akademik duhet të trajtohet nga mekanizma të veçantë dhe se askush nuk duhet t’i shmanget një procesi të verifikimit të procesit të ngritjes akademike të stafit akademik në Arsimin e Lartë. 


“Ne nuk mund të lejojmë që e ardhmja e fëmijëve tanë të mbetet në duar të personave me ngritje akademike të dyshimtë prandaj një verifikim do të ndante përfundimisht stafin akademik me integritet, nga ata që dëmtojnë çdo ditë cilësinë në Arsimin e Lartë në vend”, – shtoi zv/ministri Geci.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.