MASHT

TIKA ndihmon UPZ-në me 200 mijë euro dhe me staf akademik

20 Gusht, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe presidenti i Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar – TIKA, Musa Kulaklikaya, nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për Universitetin e Prizrenit.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes MASHT-it dhe TIKA-s mbështet themelimin e Universitetit të Prizrenit si universitet rajonal, internacional dhe shumetnik. Me këtë rast Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, çmoi lartë ndihmën e Qeverisë së Turqisë në funksionalizimin e Universitetit të Prizrenit.

Ai tha se në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Turqisë, përmes TIKA-s, do të mbështesë Universitetin e Prizrenit me kuadër akademik që do të mbajnë ligjërata në gjuhën angleze dhe në gjuhën turke.

“Qeveria e Turqisë përmes TIKA-s, po ashtu do të mbështesë Universitetin e Prizrenit me staf administrativ, i cili do të ndihmojë në themelimin dhe funksionalizimin e administratës së UPZ-së. Përveç kësaj, TIKA do të dërgojë edhe një profesor eminent nga ndonjë universitet nga Turqia, i cili do të jetë anëtar i bordit të UPZ-së”.

Ndërsa pjesa e tretë e kësaj marrëveshje synon që ta ndihmojë UPZ-në në zgjerimin, renovimin dhe adaptimin e hapësirës së këtij universiteti, me qëllim që të jetë i gatshëm për vitin akademik 2010/2011. Vlera mbështetëse e TIKA-s për zgjerimin, renovimin dhe adaptimin e hapësirës së Universitetit të Prizrenit është mbi 200 mijë euro.

Universiteti i Prizrenit si institucion i arsimit të lartë ka mbështetjen edhe të disa partnerëve tjerë, si të Bankës Botërore, të Republikës së Austrisë dhe të disa shteteve tjera evropiane.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.