Një delegacion nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve e Sllovenisë po qëndron për një vizitë pune në Kosovë, me qëllim që të krijojë kontaktet me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për të identifikuar mundësitë e bashkëpunimit në fushat e ndryshme të veprimtarive arsimore.
Ekspertët sllovenë, sot kanë mbajtur ligjërata para pedagogëve dhe psikologëve që punojnë në shkollat e Kosovës, e që janë edhe fokusi i mbështetjes nga ana e tyre.
Me këtë rast, Alush Istogu, drejtor i Departamentit të Arsimit Parauniversitar në MASHT, tha se ky seminar është organizuar në vazhdën e bashkëpunimit me Republikën e Sllovenisë.
Ai theksoi faktin se shërbimi profesional pedagogjik në shkolla veq ka filluar të jetësohet. “Jetësimi i këtij shërbimi në shkolla, ka një mbështetje shumë të fuqishme nga MASHT-i dhe Qeveria e Kosovës, por ky shërbim fuqizohet edhe më shumë me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili tashmë pritet të miratohet në Kuvend”, tha ai, ndërsa theksoi se gjatë këtij viti janë hapur 40 vende pune për këtë shërbim në shkolla, vitin e ardhshëm do të hapen edhe 40 të tjera dhe kështu do të vazhdohet derisa të fuqizohet ky shërbim, i cili edhe është synim i Ministrisë.
Istogu falënderoi ekspertët nga Ministria e Arsimit e Sllovenisë për vullnetin që kanë treguar të ndihmojë në krijimin e një shërbimi sa më të fuqishëm të shërbimit pedagogjik në shkolla.
Roman Gruden nga Ministria e Arsimit e Sllovenisë theksoi se është shumë e rëndësishme të identifikohen fushat ku mund të bashkëpunohet më së miri, gjë të cilën ai tha se tashmë janë duke e bërë.
Ndërsa, në ligjëratën e saj, Tanja Bezic, psikologe nga Enti Pedagogjik Shtetëror, mbajti një ligjëratë për konceptet e praktikave të punës në shkollat e Sllovenisë.
Ndërsa, edhe pedagogët dhe psikologet në shkollat e Kosovës patën rastin që të tregojnë për përvojat e tyre në shërbim të shkollave.
Last modified: 26 Gusht, 2022