Drejtues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë mbajtur sot takimin e rregullt me Drejtoritë Komunale të Arsimit. Në emër të ministrit të Arsimit, Ramë Buja ka folur zëvendësministri, Usmen Baldzi i cili ka folur për rëndësinë e “7 Marsit- Ditës së Mësuesit”.
Zëvendësministri Baldzi, pasi ka uruar të gjithë mësimdhënësit për punën që po bëjnë në arsimimin e brezave të rinj, ka vlerësuar se kjo ditë është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe arsimore në trojet ku jetojnë shqiptarët dhe ku vijohet mësimi në gjuhën shqipe.
“Kjo ngjarje konsiderohet një fitore e madhe për popullin shqiptarë, për arsye se pikërisht nga kjo ditë populli shqiptar ka filluar të mësoj në gjuhën shqipe. Më 7 Mars duhet të përkujtohen me respekt të thellë të gjithë ata që nuk kursyen asgjë për gjuhën shqipe”, është shprehur zëvendësministri Baldzi.
Zëvendësministri Baldzi po ashtu ka paraqitur propozimin e Ministrisë së Arsimit, që festimeve të 7 Marsit tu bashkohen edhe komunitetet tjera të cilat jetojnë në Kosovë, në mënyrë që në të ardhmen komunitetet pakicë të begatojnë 7 Marsin me manifestime në gjuhët e tyre amtare.
Ndërsa, këshilltari Ragip Gjoshi ka bërë të ditur se sivjet për herë të parë Ministria e Arsimit do të ndaj çmimin “Shaban Jashari”. Ky çmim do të ndahet tradicionalisht për mësimdhënësit e dalluar.
Ndërsa, sekretari i përgjithshëm, Xhavit Dakaj ka ftuar drejtorët e arsimit në një mbledhje të jashtëzakonshme, e cila do të mbahet para takimit të rregullt të muajit prill.
Në takim po ashtu është diskutuar rreth vendimit të ministrit të Arsimit, Ramë Buja për realizmin e projektit “Mjedisi i gjelbër dhe i pastër në shkolla” për vitin shkollorë 2011- 2012. Në bazë të këtij vendimi, DKA-të obligohen që deri më 9 prill të zgjedhin tri shkollat më të pastërta, ndërkohë që shkollat të cilat zënë vendin e parë do të hyjnë në garë për zgjedhjen e shkollës më të pastër në vend, e cila do të mbahet më 5 qershor të këtij viti.
Last modified: 29 Gusht, 2022