MASHT

CERTIFIKOHEN 75 ASISTENTË PËR FËMIJËT ME NEVOJA TË VEÇANTA

27 Gusht, 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me Daniele Passalsqua, udhëheqës i Projektit LuxDev dhe Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, kanë marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës së dytë prej 75 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ministri Bytyqi, pasi ka uruar asistentët për mbështetjen në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, në kuadër të sistemit të rregullt arsimor, tha se zbatimi i politikave arsimore që ofrojnë mbështetjen  e nevojshme për këtë kategori të fëmijëve është i një rëndësie të jashtëzakonshme.

“Arsimi i fëmijëve me nevoja të veçanta është sfidë, jo vetëm për Ministrinë e Arsimit, por për gjithë shoqërinë, andaj edhe jemi angazhuar që të përgatisim kuadrot e nevjoshme për këtë qëllim”,  ka thënë ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi theksoi se, këtë vit MAShT ka krijuar mundësi për punësimin e 100 asistentëve në shkolla dhe kjo do të vazhdojë edhe për tri vitet e ardhshme.

Certifikatat e ndara për këta asistentë janë të njohura ndërkombëtarisht, ndërsa procesi i kualifikimit është realizuar nga MAShT, me mbështetjen e Projektit LuxDev. Procesi i kualifikimit  do të vazhdojë edhe me gjeneratën e tretë, konform kërkesave të tregut të punës.

Last modified: 9 Qershor, 2022