MASHT

CERTIFIKOHEN 15 KËSHILLTARËT E PARË TË KARRIERËS TË NIVELIT TË 5-TË

23 Maj, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të këshilltarëve të parë të karrierës përmes programit kualifikues të akredituar të nivelit të 5-të, roli dhe funksioni i të cilëve është esencial për të ofruar shërbime cilësore në ngritjen e vetëdijes së nxënësve për përzgjedhjen e profesionit dhe për orientimin e tyre në karrierë.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka theksuar se, më shumë se kurrë për të rinjtë tanë, informimi për mundësitë e arsimit është shumë i nevojshëm.

Nagavci tha se, politikat e Ministrisë janë të fokusuara në reformimin e stafit të shkollave profesionale dhe të gjitha veprimet të cilat janë ndërmarrë vërtetojnë përkushtimin tonë për t’ju ofruar nxënësve tanë informata dhe instrumente për ti zbuluar afinitetet e tyre, në mënyrë që atyre të ju sigurojmë një të ardhme më premtuese.

“Të rinjtë tanë është e nevojshme të kenë informacione për shkolla profesionale dhe nevojat e tregut të punës, çfarë lloje profilesh ofrojnë ato, për kohëzgjatjen e shkollimit, për realizimin e mësimit praktik në ndërmarrje, mundësinë e punësimit, që ata të orientohen drejt tregut dhe pas shkollimit ta kenë më të lehtë punësimin”, ka thënë ajo.

Ministrja Nagavci tha se, qendrat e karrierës me bazë në shkolla profesionale, së bashku me këshilltarët e karrierës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në orientimin e nxënësve për përzgjedhjen e profesionit, andaj Ministria e Arsimit mbështet fuqizimin e komponentës së orientimit dhe këshillimit në karrierë, përmes ndërmarrjes së një sërë masash gjatë dy viteve të fundit.

Nagavci falënderoi Qeverinë zvicrane, e cila përmes projektit “Rritja e punësimit për të rinj-EYE” po mundëson jetësimin e themelimit të qendrave të karrierës, zhvillimin dhe akreditimin e programit kualifikues dhe kualifikimin e këshilltarëve të karrierës, ndërsa këshilltarëve të karrierës, ju uroi suksese në rolin e tyre të ri, derisa ftoj komunat që të identifikojnë nevojat në nivel komune për këshilltarë të karrierës.

Për rëndësinë e standardizimit dhe institucionalizimit të shërbimeve të orientimit në karrierë dhe certifikimin e këshilltarëve të parë në karrierë folën edhe Jean Christophe Favre, udhëheqës për Ekonomi dhe Punësim dhe Këshilltar Rajonal nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe drejtoresha e AAPARr-së, Fikrije Zymberi.

Ndryshe, programi për këshilltarë të karrierës është kualifikuar dhe validuar nga Autoriteti Kombëtare e Kualifikimeve, ndërsa Qendra e Kompetencës në Prizren është institucioni i parë publik i akredituar për ofrimin e programit të trajnimit të nivelit të 5-të.

Last modified: 23 Maj, 2023