MASHT

Buja: Do t`i pengojmë ata që bëjnë “të zeza” në arsim

6 Janar, 2014

Buja: Do t’i pengojmë ata që bëjnë “të zeza” në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Ramë Buja, ka thënë se 2013-ta ishte një vit i suksesshëm për arsimin. Megjithatë ai ka thënë se ka pasur edhe sfida. Hapjen e tri universiteteve të reja publike, Buja e ka vlerësuar si diçka madhore për arsimin në Kosovë

Lirije KLAIQI

Prishtinë, dhjetor – Kosovës do t’i shtohet edhe Universiteti i Ferizajt, por kjo nuk do të ndodhë së shpejti. Gjithashtu edhe në Podujevë do të hapën disa drejtime. Kështu ka thënë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Ramë Buja.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka folur për punët që kanë bërë ministria që ai e drejton gjatë vitit 2013 dhe për sfidat që i dalin. Buja gjithashtu ka përmendur edhe disa prej planeve të MASHT-it për vitin 2014.

“Epoka e re”: Cilat janë të arriturat kryesore të MASHT?
Buja: MASHT-i gjatë këtij viti ka vazhduar punën në realizimin e aktiviteteve që lidhen me arritjen e prioriteteve në arsim sipas Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë (2011-2016), bile kemi bërë diçka edhe jashtë atij plani. Po ashtu realizimi i 22 titujve të librave shkencor, për të cilët jemi shumë të kënaqur. E arritur e këtij viti është çështja e transformimit të Fakultetit të Edukimit dhe që ka filluar të ecën përpara. E arritur tjetër është pilotimi i kurrikulës në dhjetë shkolla. Kemi realizuar trajnim të drejtorëve, që janë afro 247 që janë trajnuar dhe certifikuar. Janë licencuar 20 500 mësimdhënës të rajoneve: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë dhe Pejë. Jemi në përfundim e sipër të bibliotekës universitare. Kemi bërë diçka që është madhore dhe ajo nuk mund të kalojë pa u përmendur është themelimi i tri universiteteve të reja publike në Kosovë që është edhe madhështi por edhe sfidë kryesore.

“Epoka e re”: Si po shkon puna në këto universitete?
Buja: Tek Universiteti i Pejës e kemi përfunduar periudhën themeluese dhe tanimë gjithçka është në rregull. Janë themeluar bordet udhëheqëse. Jo shumë pas vitit të ri do të organizojmë procesin zgjedhor në këto tri universitete në mënyrë që të përmbyllim këtë cikël themelues dhe gjithçka të shkojë në rregull. Këto themelta janë vepra më e madhe që janë realizuar gjatë këtij viti. Na kanë sfiduar ata të cilët e kanë për detyrë, pra opozitarët na kanë thënë që ju themeluat universitete sa për t’i themeluar dhe për qëllime politike, nuk keni financa etj. Realisht jemi shumë të kënaqur me punën e stafit edhe akademik edhe administrativ në këto institucione.

“Epoka e re”: Kemi pasur premtime për universitete të reja. Na duhet ende universitete apo kanë qenë thjeshtë premtime fushate?
Buja: Kryeministri Hashim Thaçi ka premtuar edhe një universitet. Në Podujevë nuk ka premtuar universitet, por që do të hapë disa departamente atje. Ka përmendur themelimin e universitetit të shkencave aplikative në Ferizaj që mund të ndodhë, por jo shumë shpejt. Duhet të bëjmë përllogaritjet e fizibilitetit edhe akademik edhe të tjera se si do ta kemi punën, por kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt.

“Epoka e re”: Si i keni parë rastet e fundit në UP? 
Buja: Po iu ndalet hovi abuzueseve dhe keqpërdoruesve. Me gjërat e shenjta nuk duhet të abuzohet. Unë nuk e kam pritur mirë. Natyrisht që nuk më ka krijuar ndjenjën e mirë. Por në anën më ka ardhur mirë që ka filluar diçka për t’i trazuar dhe penguar ata që duan të bëjnë gjëra të zeza në arsim.

“Epoka e re”: Sfidat që i keni para vetes?
Buja: Nuk jemi pa sfida. Gjithmonë na mbetet sfidë çështja e ndërtimit të objekteve shkollore që akoma kemi nevojë edhe pse këto gjëra janë përafruar shumë. 23 objekte i kemi aktualisht në ndërtim dhe kemi kërkesa edhe për ndërtimin e objekteve të tjera në vitin që vjen edhe pse unë kam qenë ithtar i asaj se pa i përfunduar këto objekte të nisura të mos fillojmë të tjera. Kemi edhe sfida të tjera siç janë rritja e cilësisë në arsim, interesimi i vogël i shkencëtarëve kosovarë për të aplikuar në projekte të ndryshme shkencore, integrimi i Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë në sistemin e arsimit sipas ligjeve të Kosovës, numri i vogël i inspektorëve të arsimit, mosbashkëpunimi me MASHT i shumicës së shkollave që mbajnë mësim në gjuhën serbe.

“Epoka e re”: Cilat janë planet për vitin 2014? 
Buja: Plan e kemi t’i përmbushim sfidat që në kanë mbetur. Do të vazhdojmë me projektin e librave shkencor që t’i përmbushim të gjitha nevojat. Do ta themelojmë Gjimnazin Matematikor dhe të gjithë nxënësit me aftësi të veçanta të inteligjencës që të vijnë në Prishtinë. Do të vazhdojmë me realizimin e Planit Strategjik 2011-16. Do të kemi bursa për në Japoni, Shefield dhe do të insistojmë që të kemi bursa për master dhe doktorata sepse na duhen njerëz për institucionet e reja që kemi filluar tanimë. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me donatorët si USAID.

Last modified: 1 Shtator, 2022