Bashkimi Evropian (BE) do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha nivelet e arsimit, me qëllim të zhvillimit dhe ngritjes së cilësisë në këtë sektor. Këtë e ka konfirmuar Tomáš Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së, në takimin me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Ministrja Nagavci falënderoi ambasadorin Szunyog për investimet e shumta që ka bërë BE-ja në Kosovë, veçanërisht në sektorin e arsimit. Ajo theksoi nevojën e mbështetjes së mëtutjeshme për shumë procese, të cilat do të krijojnë kushte për avancimin e arsimit.
Ministrja foli për planin qeveritar për arsimin, i cili synon krijimin e kushteve për ofrim sa më cilësor të shërbimeve në sistemin arsimor.
Ambasadori Szunyog, ndër të tjera tha se, BE është e gatshme të investojë në ndërtimin e objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore të Universitetit të Prishtinës, sapo të rregullohet çështja e hapësirës për ndërtimin e objektit.
Ministrja Nagavci theksoi se ky është një lajm i mirë, pasi që objekti aktual nuk i plotëson kushtet për natyrën e studimeve në drejtimet e këtij Fakulteti, ndërsa shprehu gatishmërinë për të shtyrë përpara këtë projekt.
Gjatë takimit u bisedua edhe për riorganizimin dhe sistematizimin e vendeve në MAShTI-t, nevojën e krijimit të kushteve për përfshirje në edukimin e hershëm, rishikimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, reformën në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, tekstet shkollore, pjesëmarrjen e Kosovës në testin PISA, si dhe tema të tjera me rëndësi.
Last modified: 8 Qershor, 2022