Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Sllovenisë, me ftesë të Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Sportit të Republikës së Sllovenisë, znj. Maja Makovec Brenčič.
Gjatë takimit të përbashkët, dy Ministrat biseduan për mundësitë e përbashkëta të bashkëpunimit në të gjitha nivelet e arsimit dhe krijimin e mundësive të avancuara për zhvillimin e arsimit dhe iniciativa për bashkëpunim në projekte të përbashkëta.
Me këtë rast, me qëllim të promovimit të bashkëpunimit reciprok të dy Ministrat nënshkruan Protokollit për bashkëpunim në fushën e arsimit, në kuadër të Marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë në vitin 2010.
Protokolli i nënshkruar në fushën e arsimit vendos bazën e bashkëpunimin në fushën e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë. Ky bashkëpunim do të reflektohet në kushtet e përshtatshme reciproke që do të ju ofrohen nxënësve dhe studentëve, në ofrimin e bursave të studimit, ofrimin e programeve të përbashkëta në institucionet e arsimit të lartë, bashkëpunimin në projektet dhe programet e Bashkimit Evropian, nxitjen e aplikimit të teknologjisë informative në Arsim dhe shkëmbimin e përvojave të suksesshme të dyja vendeve.
Gjatë qëndrimit në Republikën e Sllovenisë, Ministri Bajrami do të zhvillojë takime me udhëheqës të Akademisë së Shkencave Sllovene si dhe do të pritet në Universitetin e Lubjanës.
Last modified: 31 Gusht, 2022