MASHT

Banka Botërore mbështet edhe 151 shkolla përmes granteve

24 Shtator, 2010

Me mbështetjen e Bankës Botërore, respektivisht Projektit për Zhvillim Institucional, 151 shkolla fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, përfitojnë granteve shkollore, të cilat kanë për qëllim ngritjen e cilësisë në procesin mësimor.

Në një ceremoni të organizuar sot, MASHT-i ka filluar zbatimin e këtyre granteve. Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen e fuqishme që po i jep arsimit në Republikën e Kosovës.

Ai tha se çdo shkollë në Kosovë ka një plan zhvillimor që parasheh përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënjes, prandaj theksoi se përmes mbështetjes së Bankës Botërore, shkollave përfituese iu mundësohet sigurimi i mjeteve për mësim, sigurimi i teksteve, i transportit të nxënësve, e të tjera.

“Grantet shkollore të cilat grante jepen nga Banka Botërore, synojnë mbi të gjitha që ta përmirësojnë cilësinë në mësimdhënie dhe me atë ti bëjë qytetarët e Kosovës të konkurrojnë me të tjerët në rajon, me të tjerët në Evropë dhe neve si shtet i dijës, si shoqëri e dijës të na bëjë pjesë e botës, në të cilën po jetojmë. Për mua është një nder i veçantë që në 38 komuna të Kosovës 151 shkolla përmes një mbështetje të fuqishme financiare”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Ndërsa, menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovës, Ranjit Nayak, tha se Programi për zhvillimin e arsimit, është një projekt që ka mbështetur Ministrinë e Arsimit për decentralizimin e sistemit arsimor, duke kaluar kompetencat nga niveli qendror në atë komunal.

“Me grantet për zhvillim të shkollave, ky projekt ka për qëllim ngritjen e cilësisë në arsim, krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm në procesin mësimor. Janë rreth 700 shkolla që kanë marrë grante si dhe mbi 300 mijë nxënës kanë përfituar nga kjo. Shkollat kanë përfituar kabinete, libra, trajnime të mësuesve, transportin e nxënësve dhe të tjera.”

Ai ka shpjeguar se grantet do të fokusohen në shkollat e mesme dhe në rrugë të vogla rurale me grante deri në 10 mijë euro për shkolla fillore dhe 15 mijë euro për shkolla të mesme për implementimin e aktiviteteve të tyre. Sipas tij, më e rëndësishmja është se ky projekt do të jetë i lidhur me aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve të menaxhmentit të shkollave si dhe të prindërve për të planifikuar dhe zbatuar këto aktivitete.

Ndërsa, Alush Istogu, drejtor i Departamentit të Arsimit Parauniversitar, bëri një prezantim të hollësishëm rreth procedurave të granteve për zhvillimin e shkollave. Ai theksoi shkollat do të ndihmohen në realizimin e këtyre granteve dhe në këtë drejtim theksoi rolin e drejtorive komunale të arsimit. Ndërsa, Istogu tha se shkollat duhet të raportojnë në MASHT për të arriturat që kanë shënuar me ndihmën e granteve.

Nga 151 shkollat përfituese të granteve, 126 janë shkolla fillore dhe 25 të mesme, ndërsa grantet do të ndahen në dy raunde, në vlerë prej rreth 1 milion e 600 mijë euro.

Last modified: 26 Gusht, 2022