MASHT

ZËVENDËSMINISTRI REXHAJ U TAKUA ME PËRFAQËSUESIT E SBASHK-UT

25 Gusht, 2020

25 Gusht 2020

Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, priti sot në takim përfaqësuesit e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dhe Ymer Ymeri, me të cilët bisedoi për përgatitjet e vazhdueshme për fillim e vitit shkollor 2020/2021 në kushte të pandemisë COVID-19.

Përfaqësuesit e SBAShK-ut përcollën disponimin e anëtarësisë së tyre që, brenda mundësive, mësimi të fillohet në ambientet shkollore, ngase sipas tyre, mësimi online i ka shkaktuar vështirësi në punë personelit arsimor.

Pos kësaj, kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj, shprehu gatishmërinë të bashkëpunojë për fillimin sa më të suksesshëm dhe të sigurt të mësimit, gjithnjë duke iu përmbajtur udhëzimeve të MASh, MSh dhe IKShPK.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe nevoja për mbrojtjen e shëndetit të mësimdhënësve më të moshuar dhe atyre që vuajnë nga sëmundjet kronike. Nga ana e tij, zv/ministri Rexhaj i informoi se MASh me përkrahje edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë masa për sigurimin e mësimdhënësve zëvendësues dhe ndihmës për të krijuar kushte të përshtatshme edhe për kategoritë e mësimdhënësve më të moshuar dhe me gjendje të rënduar shëndetësore.

Përfaqësuesit e SBAShK-ut propozuan që të mundësohet aplikimi i skemave të vullnetarëve për të ndihmuar shkollat, përfshirë edhe lejimin e studentëve të vitit të katërt të Fakultetit të Edukimit që në mënyrë vullnetare të ndihmojnë funksionimin sa më të mirë dhe përcjelljen e zhvillimeve në institucionet arsimore.

Përfaqësuesit e MASh i informuan Kryesinë e SBAShK-ut për përgatitjet e kryera nga MASh për fillimin e vitit shkollor 2020/2021 , përfshirë dhe udhëzuesit përkatës, vendimin për fillimin e vitit shkollor dhe protokollin e reagimit për kalim nga një skenar në tjetrin, varësisht nga vlerësimi i gjendjes së pandemisë në institucione arsimore. 

Në fund, palët u pajtuan që të zhvillojnë takime të rregullta për përcjellje të gjendjes, informim të ndërsjellë dhe bashkëpunim në tejkalimin e sfidave të shkaktuara nga pandemia COVID–19.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.