U përuruan dy shkolla dhe u vu gurëthemeli i një çerdheje në komunën e Suharekës

16 Shtator 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, bashkë me zv/kryeminstren, Albulena Balaj Halimaj, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi dhe kryetarin e komunës së Suharekës, Bali Muharremaj kanë përuruar sot dy objekte të reja shkollore, në fshatrat Dobërdelan dhe në Leshan, si dhe kanë vënë gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje në Suharekë.

Ministri Ramë Likaj në ceremonitë e përurimit të shkollave uroi të pranishmit, në veçanti uroi nxënësit e klasave parafillore dhe ata të klasës së parë, duke iu dëshiruar suksese në jetë dhe në karrierën e tyre.

Ministri Likaj tha se, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit çdo ditë e më shumë po punojnë për një infrastrukturë sa më cilësore për nxënësit, sigurimin e pajisjeve shkollore, trajnimin e mësimdhënësve, kurrikula dhe tekste mësimore të rishikuara, pasi fëmijët meritojnë një sistem arsimor sa më cilësor dhe të ardhme sa më të mirë.

Ndërsa, me rastin e vënies së gurëthemelit të çerdhes në Suharekë, ministri Likaj tha se, rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin parashkollor është një prej objektivave kyçe në të gjitha dokumentet strategjike të Ministrisë së Arsimit dhe ky synim po jetësohet.